KOHA ka mësuar se klubi i boksit “Dodona” për vajza nuk është aktiv, teksa këtë e kanë konfirmuar edhe në Federatën e Boksit. Për licencimin apo jo të këtij klubi, KOHA ka dërguar pyetje edhe në Ministri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, teksa zyrtarë të këtij dikasteri qeveritar kanë konfirmuar se “Dodona” deri më tani nuk ka aplikuar për licencë. E në një arsyetim të Komunës së Prishtinës thuhet se klubi i ka plotësuar kushtet për të qenë përfitues i subvencioneve nga fusha e rinisë dhe sportit për vitin 2024
2 mijë e 850 euro ia ka ndarë Komuna e Prishtinës klubit të boksit “Dodona” për vajza, në subvencionet nga fusha e rinisë dhe sportit, për vitin 2024.
KOHA ka mësuar se klubi i boksit “Dodona” për vajza nuk është aktiv, teksa këtë e kanë konfirmuar edhe në Federatën e Boksit.
“Klubi i boksit ‘Dodona’ për femra është i regjistruar në Federatën e Boksit të Kosovës, por jo edhe i licencuar në Ministri. Gjithashtu, klubi nuk është aktiv dhe nuk ka marrë pjesë në gara”, thuhet në përgjigjen e Federatës.
Për licencimin apo jo të këtij klubi, KOHA ka dërguar pyetje edhe në Ministri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Zyrtarë të këtij dikasteri qeveritar kanë konfirmuar se klubi “Dodona” deri më tani nuk ka aplikuar për licencë.
“Klubi i boksit ‘Dodona’ për femra nuk është i licencuar në Ministrinë tonë, si dhe nuk ka aplikuar asnjëherë për licencë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
KOHA ka provuar që të marrë sqarime edhe nga klubi “Dodona”, porse nuk ka arritur që të marrë një përgjigje. Në numrin kontaktues të këtij klubi, të cilin KOHËS ia ka siguruar Federata e Boksit, është lajmëruar një peron që ka deklaruar se nuk ka lidhje me klubin. Ky klub nuk ka as adresë apo ndonjë faqe në rrjetet sociale.
E në një arsyetim të Komunës së Prishtinës kanë thënë se klubi i ka plotësuar kushtet për të qenë përfitues i subvencioneve nga fusha e rinisë dhe sportit për vitin 2024.
“Klubi i boksit ‘Dodona’ është një klub i ri, ekskluzivisht për vajza, i cili i ka përmbushur të gjitha kërkesat e përcaktuara në thirrjen për aplikime. Ky vërtetim tregon se klubi është i regjistruar në Federatën e Boksit. Për të ndihmuar në ndërtimin e një klubi të sapothemeluar, mbështetja është dhënë vetëm për blerjen e pajisjeve të domosdoshme”, thuhet në përgjigje të Komunës së Prishtinës.
Përfitues i subvencioneve për rini dhe sport ka qenë edhe organizata joqeveritare “Mashkull”, porse, sipas Departamentit për Regjistrimin e Organizatave Joqeveritare, nuk ekziston një OJQ me emër të tillë.
“Në sistemin elektronik të organizatave joqeveritare, OJQ me emrin ‘Mashkull’ nuk figuron në sistemin elektronik të organizatave joqeveritare”, thuhet në përgjigjen e Departamentit.
Për përzgjedhjen e përfituesit “Mashkull”, KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga Komuna e Prishtinës.
Zyrtarë të saj e kanë arsyetuar këtë çështje me përpunimin automatik të të dhënave në sistem.
“Në lidhje me përfituesin me ID: 21340 dhe emërtimin ‘Mashkull’, dëshirojmë të informojmë se lista e publikuar është përpunuar automatikisht, sipas të dhënave të regjistruara në sistem, të cilat janë futur nga aplikuesit. Gjatë nënshkrimit të kontratës, të gjithë ata që kishin gabime në të dhëna janë informuar për mënyrën e korrektimit të tyre në sistem. Projekti me ID: 21340 përfaqëson organizatën joqeveritare (OJQ) me emrin ‘Instituti për Politika Ekonomike Lokale’ (IPLK), me numër regjistrimi 5113584-9 dhe numër fiskal 601095624”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Komuna e Prishtinës ka ndarë 649,344.62 euro për subvencionet nga fusha e rinisë dhe sportit, derisa përfitues të këtyre subvencioneve kanë qenë 166 organizata joqeveritare dhe klube.