Marrëveshja mes prindërve dhe Komunës së Prishtinës për subvencionimin e pagesave të kopshteve për fëmijë nuk po zbatohet ashtu siç ishte paraparë. Subvencionimi i komunës për prindërit ishte paraparë të zgjasë 10 muaj, por u ndal pas gjashtë muajsh. Nga Komuna thonë se disa prindër janë tërhequr vullnetarisht e me të tjerët kanë ndodhur gabime në procedurat teknike. Prindërit këtë gjë e quajnë mashtrim
Në maj të vitit të kaluar, në Asamblenë e Prishtinës është votuar vendimi për subvencionimin e prindërve të cilët kanë të ardhura mujore më pak se 500 euro, në mënyrë që t’i dërgojnë fëmijët në kopshte private.
Shuma e siguruar nga Komuna për këta prindër ishte 70 euro në muaj, e arsyetimi ishte që me këtë vendim lirohen kopshtet publike dhe ndihmohen prindërit me të ardhura të pakta.
Kontrata ishte valide për 10 muaj, mirëpo është zbatuar vetëm për 6 muaj.
Në Komunë thonë se disa prindër janë tërhequr vullnetarisht e me të tjerët ka pasur gabime në procedura teknike.
Njëri nga prindërit përfitues, në kushte anonimiteti ka treguar se si Komuna në qershor të këtij viti, ende pa skaduar kontrata e ka ftuar ata për ndryshimin e kohëzgjatjes së kontratës për subvencionim.
“Kam aplikuar vitin e kaluar, m’u ka pranuar aplikimi, pra jam përfituese e 70 eurove për 10 muaj. Kontratën e kemi bërë për 10 muaj, por paratë na u kanë kredituar vetëm për 6 muaj. Para 3 muajve na ka thirrur Komuna prapë për të bërë një kontratë të re, e cila tani do të jetë valide vetëm për 8 muaj, jo për 10 siç ka qenë kontrata e parë. Kontrata është e vitit të kaluar, edhe e këtij viti, mirëpo të hollat nuk na janë rimbursuar ende. Unë jam e gatshme që t’i shkoj kësaj pune deri në fund, nuk është çështja që nuk na i kanë subvencionuar edhe 140 euro, mirëpo nuk po e kuptoj pse po na bëhet ky manipulim dhe të gjitha këto mashtrime me fëmijë”, ka thënë ai.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku, nuk ka pranuar të prononcohet për rastin.
Megjithatë në Komunë kanë pranuar se ka ndodhur një gjë e tillë.
Zëdhënësi i komunës, Donat Lushaku, ka thënë se 23 prindër janë tërhequr vullnetarisht, kurse me të tjerët ka ndodhur një gabim teknik.
“Pas nënshkrimit të kontratave për periudhën e dytë 23 prindër të subvencionuar janë tërhequr në mënyrë vullnetare për arsye personale. Kështu që Drejtoria e Arsimit konfirmon se ka miratuar gjithsej 108 (njëqind e tetë) fëmijë të subvencionuar me vlerë 70 euro për dy (2) muaj maj – qershor 2024 me vlerë totale 15.120.00 euro. Ndërsa pasi që janë procedura në Thesar për shkak të disa gabimeve teknike janë kthyer mbrapsht rreth 60, dhe pritet të dalin mjetet gjatë kësaj jave”, ka deklaruar Lushaku.
Lushaku nuk ishte në gjendje të shpjegojë se si ka ndodhur gabimi pas 6 muajsh, por ka siguruar që të hollat do t’u rimbursohen prindërve.
“Ky vendim është i ekzekutueshëm dhe ne kemi detyrim që t’i subvencionojmë këta prindër. Kjo, pasi ky është premtim yni publik që e kemi bërë, pjesa më e madh është bërë, pjesa tjetër është në proces të korrigjimit, kurse pjesa që janë tërhequr është vendim i tyre vullnetar që nuk ka të bëjë me neve”, ka thënë ai.
Thirrja publike për subvencionim për vitin 2025 ende nuk është hapur.