Komuna e Prishtinës s’ka përfillur vendimin e Gjykatës Komerciale për hapjen e rrugëve “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha” në kryeqytet, dhe ka nisur me ndërtimin e minishesheve në këto rrugë.
Në rrugën “Rexhep Luci” janë vendosur rrethojat për aktivizimin e punishtes. Për ndërtimet Komuna e Prishtinës ka shpallur një ritenderim, të cilën e fitoi një kompani nga Malisheva. Vlera e këtij tenderi arrin mbi 1.3 milionë euro.
E në një njoftim për media, Komuna e Prishtinës, ka treguar se të mërkurën do të mbahet ceremonia e përurimit të nisjes së punimeve në rrugën “Rexhep Luci”.
Ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës për t’i nisur ndërtimet kanë reaguar banorët e rrugës “Rexhep Luci”.
“Po e dërgojmë shqetësimin tonë për lojën e dyfishtë të Komunës me në krye Përparim Ramën dhe Alban Zogajn...Banorët ishin kundër vendimit për mbylljen e rrugës ‘Rexhep Luci’ dhe për këtë ekziston edhe vendimi i Gjykatës Komerciale. Pavarësisht këtyre, Komuna ka nxjerrë në ritenderim dhe më datën 5 nëntor ka shpallur fitues kompaninë ‘Flamuri dhe Benita’ me vlerë 1.338.169 euro. Kjo tregon hapur për qëllimet korruptive të zyrtarëve komunal që të bëjnë një tender kaq të madh pa aprovimin e banorëve dhe pa nevojë, sepse rruga ‘Rexhep Luci’ ka një infrastrukturë të moderuar dhe komplekse, për faktin që banorët kanë vetëm hyrje para dhe nuk kanë alternativa tjera të futen në shtëpitë e tyre”, thuhet në një komunikatë të lëshura në emër të banorëve.
Është thënë se vendimi është marrë pa asnjë konsultim publik, ndërsa është akuzuar Komuna e Prishtinës se “janë fabrikuar disa mbledhje fiktive mes kinse disa banorëve jorezidentë në rrugën ‘Rexhep Luci’ të cilët për interesat e tyre kanë marrë pjesë në mbledhje, të cilat janë mbajtur në mënyrë të fshehtë nga banorët rezidentë të rrugës ‘Rexhep Luci’”.
“Kjo aferë e madhe korruptive, e fabrikuar në zyrat e kryetarit Përparim Rama dhe nënkryetarit Alban Zogaj, cenon të drejtën Kushtetuese të banimit kolektiv të banorëve rezidentë, të cilëve ju garantohet me Kushtetutë e drejta e tyre e qasjes në pronë dhe lëvizjes së lirë. Në këtë rast kjo është thyer”, është thënë në reagimin.
Në aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale u anulua vendimi i Komunës së Prishtinës për mbylljen e rrugëve “Rexhep Luci” e “Qamil Hoxha” ndër të tjera. Padinë ndaj vendimit të Komunës e kishte ngritur Grupit ‘KOHA’, përmes avokatit Ardian Bajraktari, i cili tha se ekzistojnë dy arsye që këto rrugë të hapen. Njëra prej tyre sipas tij është edhe vendosja e masës së përkohshme.
Grupi “KOHA” më 28 gusht 2023 kishte ushtruar padi ndaj vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama të marrë më 18 gusht 2023, për mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike të rrugëve të kryeqytetit të cilat kalojnë/dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare, duke kufizuar edhe të drejtën e Grupit “Koha” për të qarkulluar brenda parkingut të vet dhe rrugëve “Rexhep Luci” e “Qamil Hoxha”.
Komuna e Prishtinës e kishte shfuqizuar vendimin për mbylljen e disa rrugëve në Prishtinë, por sipas avokatit Bajraktari dhe vendimit të shkallës së parë të Komerciales, edhe ky vendim për shfuqizim po ashtu ishte i kundërligjshëm pasi nuk përmbante as arsyetim dhe nuk ishte bërë sipas Ligjit për Procedurën Administrative.
Nga banorët e rrugës “Rexhep Luci” e “Qamil Hoxha” është paralajmëruar padi ndaj Komunës së Prishtinës për mosrespektim të urdhrit të gjykatës.
Mospërfillja e gjykatës është vepër penale sipas ligjeve në fuqi.
“Kushdo që nuk i bindet ndonjë urdhri, vendimi apo aktgjykimi të plotfuqishëm të ndonjë gjykate në Republikën e Kosovës ose refuzon apo pengon publikimin e vendimit apo aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës së tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj”, thuhet në nenin 393, paragrafin 1 të Kodit Penal.
E për moszbatimin e vendimit gjyqësor, në Gjykatën Komerciale kishin thënës se përgjegjësi duhet të kërkojë prokuroria.
“Gjykata nuk ka mandat ligjor apo mekanizëm të veçantë që të veproj tutje lidhur me zbatimin/mos zbatimin e vendimeve gjyqësore, përpos padive apo propozimeve të iniciuara nga palët në procedurë. Për moszbatimin e vendimeve gjyqësore, kompetente është Prokuroria e Shtetit e Republikës së Kosovës”, kanë theksuar në Gjykatën Komerciale.