Është bërë përurimi i nisjes së punimeve në rrugën “Rexhep Luci”, për ta shndërruar atë në një minishesh, së bashku me rrugën “Qamil Hoxha”. Kjo u kundërshtua nga banorët, të cilët thonë se po u mbyllet qasja. Për mbylljen e kësaj rruge ekziston edhe një vendim i Gjykatës Komerciale, e i cili nuk po përfillet nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përuruar të mërkurën nisjen e punimeve në rrugën “Rexhep Luci”, duke shpërfillur Gjykatën Komerciale, e cila anuloi dy vendimet e tij për mbylljen e saj së bashku me rrugën “Qamil Hoxha”.
Padinë ndaj vendimit të komunës e kishte ngritur Grupi “KOHA”, përmes avokatit Ardian Bajraktari, i cili tha se ekzistojnë dy arsye që këto rrugë të hapen.
Njëra prej tyre, sipas tij, është edhe vendosja e masës së përkohshme.
Përkundër këtij vendimi, Komuna e Prishtinës ka vazhduar zbatimin e projektit 1.3-milionësh, që parasheh kthimin e kësaj pjese në minishesh, ku do të ndalohet edhe qarkullimi i veturave.
Përderisa janë vendosur rrethojat dhe po punohet për tjetërsimin e kësaj rruge, Rama insiston se nuk po mbyll asnjë rrugë.
“Ajo është kuptuar gabueshëm. Nuk po mbyllim rrugë. Kjo do të jetë e hapur, do të ketë emergjenca, policia, kanë qasje, qytetarët për çdo kohë, jo me vetura por vetëm raste emergjente”, ka thënë Rama.
Për këto punime pati kundërshtime nga banorët e rrugës “Rexhep Luci”.
“Pyeteni kryetarin si është e bllokuar lagjja kur ne nuk kemi qasje në shtëpitë tona. Shihni se si trotuaret janë të bllokuara prej tavolinave të lokaleve. Kryetar, e keni një vendim të gjykatës, i cili jua ndalon këtë vendim”, ka thënë një nga ta.
Vetë Rama injoroi banorët duke mos marrë parasysh kërkesat e tyre.
“Një pjesë si këta zotërinjtë këtu janë kundër, por shumica janë pro, sepse e shihni projektin”, ka thënë ai.
Të kundërtën e thotë Shkëlzen Hadri, banor i kësaj rruge, duke theksuar se komuna po i merr parasysh vetëm kërkesat e bizneseve përreth.
“Ne kemi qenë të gjithë kundër, këtë po e rregullojnë për shkak të lokaleve që t’i vendosin tavolinat më gjerë. Rruga 50 metra këtu e 30 andej dhe shuma është 1.3 milion”, ka thënë Hadri.
Mospërfillja e gjykatës është vepër penale sipas ligjeve në fuqi.
“Kushdo që nuk i bindet ndonjë urdhri, vendimi apo aktgjykimi të plotfuqishëm të ndonjë gjykate në Republikën e Kosovës ose refuzon apo pengon publikimin e vendimit apo aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës së tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj”, thuhet në Kodin Penal.
E për moszbatimin e vendimit gjyqësor, në Gjykatën Komerciale kishin thënë se përgjegjësi duhet të kërkohet te Prokuroria.
“Gjykata nuk ka mandat ligjor apo mekanizëm të veçantë që të veprojë tutje lidhur me zbatimin/moszbatimin e vendimeve gjyqësore, përpos padive apo propozimeve të iniciuara nga palët në procedurë. Për moszbatimin e vendimeve gjyqësore, kompetente është Prokuroria e Shtetit e Republikës së Kosovës”, kanë theksuar në Gjykatën Komerciale.
Grupi KOHA, më 28 gusht 2023 kishte ushtruar padi ndaj vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, të marrë më 18 gusht 2023, për mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike të rrugëve të kryeqytetit, të cilat kalojnë/dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare, duke kufizuar edhe të drejtën e Grupit KOHA për të qarkulluar brenda parkingut të vet dhe rrugëve “Rexhep Luci” e “Qamil Hoxha”.
Në aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, u anulua vendimi i Komunës së Prishtinës për mbylljen e tyre.
Avokati Ardian Bajraktari, që ka përfaqësuar KOHËN, ka thënë se pos që është vepër penale, është edhe praktikë e rrezikshme qasja e demonstruar nga komuna.
“Urdhri, vendimi apo aktgjykimi i plotfuqishëm i gjykatës në Republikën e Kosovës, duhet të zbatohet. Kushdo që nuk i bindet, këtyre, kryen vepër penale, të përcaktuar me nenin 393, të Kodit penal, shkalla e ndryshueshmërisë është me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj. Po ashtu, edhe mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore, ku sipas nenin 394, personi zyrtar apo personi përgjegjës i cili refuzon të ekzekutojë urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm të ndonjë gjykate të Republikës së Kosovës apo i cili nuk e ekzekuton vendimin brenda afatit ligjor apo afatit të caktuar me vendim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet”, ka thënë ai. “Raste të tilla, fatkeqësisht ka. Një i tillë është shumë i freskët, ku edhe përkundër që krahas aprovimit të padisë, Gjykata Komerciale ka lënë në fuqi masën e përkohshme përkatësisht ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës, për mbyllje për qarkullim të disa rrugëve, masë kjo e cila do të zgjasë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, megjithatë, kanë filluar punimet, me çka përbën mospërfillje të gjykatës”.
Bajraktari ka theksuar se përfillja e gjykatës dhe zbatimi i vendimeve të saj është detyrim, prandaj ka bërë thirrje që prokurori i Shtetit të veprojë me qëllim që kjo praktikë të mos instalohet në institucione, qoftë të nivelit qendror, qoftë të atij lokal.