Arkitekti i Qytetit

Komuna e Prishtinës shkeli ligjin qysh në hapje të tenderit 12-milionësh

Ligji i prokurimit publik kërkon nga kompanitë që konkurrojnë në tenderë, të ofrojnë një siguri tenderi sa, së paku, 1-përqindëshi i vlerës së parashikuar të kontratës. E, dosja e tenderit për Arkitektin e Qytetit dëshmon se konsorciumi që Komuna e Prishtinës e shpalli fitues, kishte siguri tenderi në vlerë 12 mijë euro, ndonëse ligji kërkonte që kjo shumë të ishte jo më e vogël se 120 mijë euro

Komuna e Prishtinës e ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik që në fillim të procesit tenderues për kontratën “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, në vlerë 12 milionë euro.

Konsorciumi që ka fituar kontratën, e që përbëhet nga kompanitë “Anarch” e “Ardi Ç”, kishte përfshirë në dosje dokumentin për Sigurim të Tenderit, në vlerë prej 12 mijë eurosh.

Vlera në këtë sigurim është dhjetëfish më e vogël sesa minimalja që kërkohet me ligj.

“Nëse autoriteti kontraktues vendos që të detyrojë depozitimin e sigurisë së tenderit, shuma e sigurisë së tillë duhet të jetë jo më pak se një për qind (1%) dhe jo më shumë se tre për qind (3%) e vlerës së parashikuar të kontratës publike ose konkursit të projektimit, por sidoqoftë, në asnjë rast nuk duhet të jetë më pak se njëmijë (1.000) Euro”, thuhet në nenin 57 i Ligjit për Prokurimin Publik.
Bazuar në këtë normë ligjore, në fazën e aplikimit, konsorciumi fitues do të duhej të depononte jo më pak se 120 mijë euro. Por, Komuna e Prishtinës kishte kërkuar dhjetëfish më pak dhe konsorciumit ia kishte pranuar shumën prej 12 mijë eurosh.

KOHA ka pyetur edhe Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) nëse ekziston ndonjë rrethanë e cila lejon që shuma e Sigurisë së Tenderit të jetë nën minimumin prej 1 për qind të vlerës së parashikuar të kontratës. Në këtë institucion, e kanë mohuar ekzistimin e një rrethane të tillë.

“Në përputhje me paragrafin 3 të nenit 57 të LPP-së, shuma e sigurisë së tenderit në rast se një siguri e tillë kërkohet, duhet të jetë jo më pak se një (1) % dhe jo më shumë se tre (3) % e vlerës së parashikuar të kontratës publike, por sidoqoftë jo më pak se njëmijë (1000) euro. Kjo duhet të kuptohet se në rast se një (1)% e vlerës së parashikuar i bie më pak se njëmijë (1000) euro, atëherë AK-së nuk i lejohet të kërkojë siguri nën njëmijë (1000) euro”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së.
Një ditë më parë, KOHA raportoi se shkaku i një dokumenti tjetër, Komuna e Prishtinës nuk do të mund t’i tërheqë 1.2 milion euro, në rast se fituesi i tenderit 12-milionësh nuk i zbaton kushtet e kontratës. Dokumenti që njihet si “Siguri e ekzekutimit”, të cilin e ka lëshuar banka, është thuajse i ngjashëm në përmbajtje me “sigurimin e tenderit”, dokument që vlen në fazën para nënshkrimit të kontratës.

Pronar i njërës kompani në konsorcium që ka fituar kontratën është Astrit Nixha, i cili në të kaluarën ka pasur raporte pune me një biznes të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.