Arbëri

Komuna e Prishtinës s’e ndal projektin për “Verë n’Dimër”, ani se MAPL-ja ia rrëzoi vendimin

Me vendim të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, sheshet e kryeqytetit i janë dhënë në shfrytëzim “Sport & Marketingut”, për t’i organizuar festivalet “Verë n’Dimër” dhe “Akull n’Verë”. Por, ndërmarrja pastaj ka kontraktuar një biznes privat, duke ia mundësuar që për pesë vjet të organizojë aktivitete në to. Vendimi është rrëzuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), por në “Sport & Marketing” kanë thënë se do ta çojnë përpara projektin

Brenda pak javësh, shtëpizat të cilat janë vendosur prej kohësh do të largohen nga sheshi “Xhorxh Bush” në kryeqytet. Ato do të zëvendësohen me të tjera, porse ato nuk do t’i sjellë Komuna e Prishtinës.

Kryetari i Komunës Përparim Rama, ka vendosur që t’ia japë hapësirën në shfrytëzim ndërmarrjes “Sport & Marketing”, e kjo ndërmarrje një operatori ekonomik të quajtur “MOMO Caffe”, pronar i së cilës është Dekorim Sahiti.

Në vendimin e kryetarit Rama nuk është e përcaktuar koha e shfrytëzimit, mirëpo në kontratën që “Sport & Marketing” e ka bërë me “MOMO Caffe”, për pesë vjetët e ardhshme sheshi do të shfrytëzohet nga ky operator.

Bazuar në kontratë, operatori privat mund t’i shfrytëzojë sheshet kryesore dhe të organizojë edhe aktivitete të tjera, krahas festivaleve “Verë n’Dimër” dhe “Akull n’Verë”. 

“Pala e dytë obligohet të paguajë shumën e përcaktuar prej € 190,000.00 + TVSH për vit kalendarik. Pagesa ndahet në dy këste, për periudhat verore dhe dimërore, sipas kushteve të përcaktuara në kontratë. Periudha verore nënkupton kohën qershor – shtator, ndërsa pagesa e këstit të parë në shumën prej 95,000.00 + TVSH realizohet në afat prej pesë ditësh nga data e fillimit të tregut veror. Pagesa për këstin e dytë në shumën prej 95,000.00 + TVSH realizohet në periudhën dimërore, në afat prej pesë ditësh pas fillimit të tregut dimëror”, thuhet në kontratë. “Me kërkesë të palës së dytë drejtuar ndërmarrjes, i njëjti mund ta kryejë pagesën në këste tremujore. Vendimin rreth kësaj kërkese e merr ndërmarrja duke përcaktuar kohën dhe shumën e kësteve”.

Këtë gjë e ka kundërshtuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), duke e konsideruar të jashtëligjshëm vendimin e kryetarit Rama. 

“Në pajtim me Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 10/2019 për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave, si dhe Rregulloren nr. 06/2021 për ndryshim-plotësimin e Rregullores (QRK) Nr. 10/2019, për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave, e në bazë të kompetencave ligjore të ministrisë të përcaktuara me ligjet bazike dhe Rregulloren (QRK) Nr. 14/2024 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, Departamenti Ligjor dhe Monitorim të Komunave i Ministrisë së Administrimi të Pushtetit Lokal ka pranuar për shqyrtim të detyrueshëm të ligjshmërisë ashtu siç parashihet me nenin 81 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale aktin komunal si në vijim: Vendimin Nr. 14.020/04.129312/24 për miratimin e kërkesës së ndërmarrjes publike lokale ‘Sport Marketing SH.A’ për organizimin e tregut veror, i nxjerrë më datën: 02.10.2024, i protokolluar për shqyrtim në MAPL më datë: 11.10.2024. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit vlerëson se akti është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në vendimin e MAPL-së.

Burime të KOHËS kanë thënë se edhe zyra ligjore komunale e ka kundërshtuar vendimin.

Zyrtari ligjor, Fatos Dibra, nuk e ka mohuar këtë gjë por e ka quajtur keqinformim dhe e ka mbyllur telefonin kur është kontaktuar nga KOHA.

“Çështja është se po më duket që keni informacione që nuk është çështje e kontestimeve. Drejtohuni te zyra e mediave. Nuk e di si është kjo gjë e jashtëligjshme për ty”, ka thënë ai.

Bardh Krasniqi, kryeshef i ndërmarrjes “Sport & Marketing”, e ka quajtur politik vendimin e MAPL-së dhe ka thënë se, pavarësisht tij, projekti do të realizohet. 

“Ne tashmë e kemi nënshkruar kontratën, investimet janë duke u bërë. MAPL-ja nuk e ka në diskrecion anulimin vetëm për shqyrtim. MAPL i ka çështjet e veta që i shqyrton, ne i marrim apo nuk i marrim parasysh sepse kjo është kompetencë e kryetarit. Është LVV-ja e cila ankohet, në çdo hap po përpiqet që të pengohemi”, ka theksuar Krasniqi.

120 shtëpizat e vendosura në sheshin “Xhorxh Bush” parashihet që të jenë në shërbim të gastronomeve, të cilët për 45 ditë do të paguajnë 3.900 euro.

Duke mos e konsideruar këtë shumë të lartë, Krasniqi ka thënë që bizneset do të fitojnë shumë gjatë këtyre ditëve.

“Ne kemi pasur analizë të bërë. Vetëm të dalësh në qytetet e tjera këtu përreth çmimet janë shumë të larta dhe astronomike. Ne jemi duke u bazuar në çmimin e tregut dhe modelin dhe atë se çfarë po duam të ofrojmë për qytetarët”, ka thënë ai.

E, Gëzim Sveçla, i cili është asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Prishtinë, e ka kritikuar kryeshefin e “Sport & Marketingut ” dhe ka insistuar që ligji të zbatohet.

“Fillimisht ai ishte kryshef, mandej drejtor e mandej e shkarkuan, e bënë kryeshef prapë. Mendoj që ka probleme në aspektin e zbatimit të ligjit. Unë mendoj që është personi i fundit i cili mundet me fol për pengesat në procedurat administrative. Ne nuk kemi marrëdhënie të mira me MAPL-në, ne kemi marrëdhënie të mira me ligjin. Asgjë personale nuk kemi me ndërmarrjen”, ka thënë Sveçla.

Festivali i dimrit pritet që të nisë nga 1 dhjetori dhe të zgjasë deri më 15 janar të 2025-s, ndërsa pritet që të ketë pamje krejt tjetër.

Bazuar në projekt, sheshi “Zahir Pajaziti” dhe ai “Xhorxh Bush” do të dekorohen me finesë. Në to parashihet që të ketë edhe pistë patinazhi dhe një CAROUSEL për fëmijë.

Për zhvillimin e kësaj veprimtarie në këto hapësira, “MOMO Caffe” ka paguar ndërmarrjen me 95 mijë euro.