Medina Braha – Drejtoreshë e Shërbimeve Publike, Blerta Basholli – Drejtoreshë e Kulturës dhe Vasilika Zotaj – Drejtoreshë e Administratës, janë 3 emërimet e fundit në Komunën e Prishtinës, nga kryetari Shpend Ahmeti.
Ato kompletojnë kabinetin e Ahmetit, kabinet i cili për më shumë se 6 muaj ishte gjysmak, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Tani në Prishtinë ka 16 drejtori, apo vetëm 6 më pak se sa ministritë që i ka niveli qendror.
Derisa Ahmeti ka premtuar se gjatë javës do të prezantojë edhe punën e prioritetet e drejtorive, këtë nuk e ka bërë.
Për LDK-në, Ahmeti është kryetar i Prishtinës, por PSD-ja nuk udhëheq me komunën.
Migjen Shala nga radhët e PDK-së, ka thënë se Ahmeti ka bërë aq shumë ndryshime, sa legjislativi nuk ka informatat e duhura.
“InPO”, organizatë joqeveritare që përcjell Komunën e Prishtinës, ka thënë se ndryshimet e shumta nuk janë të mira.
E, mbledhjet e Kuvendit Komunal duket se nuk janë interesante për qeveritarët lokalë. Shumica e drejtorëve kanë munguar në mbledhjen e tretë të rregullt të Kuvendit Komunal. Aty ka munguar edhe kryetari Shpend Ahmeti.