Njohës të prokurimit vlerësojnë se Komuna e Prishtinës mund të humbë mbi 5 milionë euro në rast se shkëputet kontrata me kompaninë fituese për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”. E, pavarësisht ndalimit të punimeve nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, ato vazhduan edhe të mërkurën
Kompania e kontraktuar për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” gjatë të mërkurës ka vazhduar punimet, pavarësisht se ato u ndaluan me vendim të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.
E në rast se kontrata shkëputet, atëherë Komuna e Prishtinës do të detyrohet të paguajë miliona euro ndaj këtij operatori.
Qëndrim Arifi, jurist dhe njohës i çështjeve të prokurimit, ka thënë se në të tilla raste kompania mund të kërkojë dëmshpërblim deri në 30 për qind të vlerës së projektit.
E vlera e projektit është 18.4 milionë euro.
“Pa dyshim një gjë është e qartë si loti që Komuna e Prishtinës do të obligohet të kryejë ose të kompensojë miliona euro, përkundër që nuk merr as edhe një punë të ekzekutuar nga operatori ekonomik dhe kjo e gjitha duke iu atribuar asaj se nuk është dashur të hyjë në marrëdhënie kontraktuale pa e rregulluar paraprakisht gjendjen në praktikë, në terren ku do të ekzekutohen punimet”, ka thënë Arifi.
Prokuroria Speciale nuk ka kthyer përgjigje nëse është e informuar për punimet që janë duke u kryer ani pse dyshohet se ka konteste pronësore e ligjore.
Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Policia.
KOHA ka provuar të marrë përgjigje edhe në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës nëse ka marrë masa ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, përkatësisht Komunës së Prishtinës rreth nisjes së ndërtimit të sheshit “Xhorxh Bush”, pavarësisht dyshimeve për shkeljeve ligjore, por nuk ia ka dalë.
Për ndërtimin e këtij sheshi Komuna nuk ka parashtruar kërkesë e as nuk e ka njoftuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit që menaxhon objektin e ish-Radio Prishtinës dhe hotelin “Grand”.
“Ne si palë kemi shfaqur shqetësimet tona kryesisht për mungesën e qasjes së lëvizjes së gazetarëve dhe ekipeve tona nga objekti ku ne funksionojmë. Objekti i ish-Radio Prishtinës ku funksionon Radio Kosova po ashtu edhe aneksi ku funksionon kompania ‘Koha’, në bazë të këtij projekti nuk kanë qasje rrugore. Asnjë qasje rrugore”, ka thënë Arsim Halili, drejtor i Radio Prishtinës,medium që shfrytëzon pronën e menaxhuar nga AKP-ja, atë të ish-Radio Prishtinës.
Gjatë ditës së mërkurë, KOHA ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nëse Komuna ka bërë kërkesë për shpronësimin e parcelave të përfshira me projektin e ndërtimit të sheshit “Xhorxh Bush”, por nuk ka pranuar përgjigje.