Punëtorët teknikë që paguhen nga kompanitë private të kontraktuara nga Komuna e Prishtinës ka një muaj e gjysmë që nuk kanë marrë asnjë cent, pasi Komuna nuk i ka ekzekutuar mjetet te kompania private. Mungesa e të ardhurave ka vështirësuar jetesën e tyre dhe ka penguar edhe mjekimin e familjarëve të tyre
Ilaz Aliu e ka gruan të sëmurë dhe thotë se nuk ka para ta dërgojë për mjekim, meqë nuk ka marrë pagë qe një muaj e gjysmë nga puna që bën si mirëmbajtëse në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë.
Edhe pa pagë Aliu nuk e ka ndalur punën, siç ka thënë ai, për hir të nxënësve.
“Ne kemi mbetur pa pare, s’po dimë çfarë të bëjmë. Duhet të udhëtojmë çdo ditë, thuajse shkoj në këmbë çdo ditë, ashtu siç të mundem prej Fushë-Kosove, është e mundimshme, por nuk kam çfarë të bëj. Gruan e kam të sëmurë shumë, kam harruar t’i marr letrat t’ ju tregoj, e kanë shkruar në letrat qe dy-tri javë që të shkoj në spital për t’u shtrirë, por nuk kam si ta dërgoj pa pare, pa asnjë cent në xhep”, ka treguar Aliu, mirëmbajtës në shkollën më të madhe në kryeqytet për mbi një dekadë.
Aliu së bashku me njëmbëdhjetë kolegët e tij paguhen nga kompanitë private që kontraktohen nga Komuna e Prishtinës. Atyre ende nuk u është ekzekutuar paga e muajit tetor.
Punëtorët kanë thënë se Komuna u ka premtuar se deri të premten do t’i ekzekutojë mjetet në llogarinë e kompanisë “Internacional Group Base”, të cilës kontrata i ka përfunduar në fillim të muajit nëntor.
Deri në muajin gusht këta punëtorë janë paguar 270 euro e në shtator kanë pranuar një pagë prej 370 eurosh, pasi Komuna dhe kompania kanë nënshkruar një kontratë dymujorëshe ku parashihej pagë më e lartë për shtator dhe tetor.
Për dymbëdhjetë muajt e ardhshëm Komuna ka nënshkruar kontratë me një kompani të re, pas skadimit të kontratës me autoritetin ekonomik “Internacional Group Base”.
Punonjësi tjetër Shaban Berisha ka thënë se çdo muaj pagesat i ka pranuar me vonesë.
“Jetesa është shumë e vështirë me 270 euro, edhe plus me qenë që i ekzekutojnë me rregull këto paga, ndoshta do të arrinim të mbijetonim ka pak, por ne problemin si fillim e kemi që pagat nuk i qesin me rregull. Për shembull, ai e ka prej 1 deri 5, e pastaj ai shkon me 10-tin,11-tin,12-tin. Faji është jetim. Herë thotë që komuna nuk i ka ekzekutuar. Por, nuk kemi çfarë të bëjmë as ne. Nuk kemi kah të shkojmë”, ka thënë ai.
KOHA ka kontaktuar Komunën dhe kompaninë, por asnjëra nuk ka kthyer përgjigje.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se në të njëjtën situatë janë edhe rreth 60 punëtorë të tjerë teknikë që punojnë në shkolla të ndryshme.
E Jusufi paralajmëroi protestë para Komunës nëse pagesat nuk ekzekutohen të premten.
Që nga viti 2010, disa punëtorë teknikë në institucionet arsimore paguhen nga kompanitë e kontraktuara nga komunat e një pjesë tjetër direkt prej shtetit.