Arbëri

Komuna e Prishtinës ende s’e di se në cilat shkolla do të mbahet mësimi gjithëditor

Komuna e Prishtinës synon që në shtator të këtij viti të nisë mbajtjen e mësimit gjithëditor në pesë shkolla të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët. Në Drejtori të Arsimit thonë se ende nuk janë përzgjedhur shkollat, e prindërit kërkojnë kushte që projekti të ketë sukses

Nga 1 shtatori i këtij viti disa institucione arsimore, sipas Komunës së Prishtinës, do të fillojnë mbajtjen e mësimit gjithëditor. 

Plani, i cili u paralajmërua nga ish-drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati, ishte që të nisë me tri shkolla, por, sipas drejtoreshës aktuale, Jehona Lushaku, ai është zgjeruar në pesë.

Por kur kanë mbetur më pak se pesë muaj deri në nisjen e vitit të ri shkollor, Lushaku tha se ende nuk janë përzgjedhur se cilat institucione arsimore do ta zhvillojnë planin e mësimit tërëditor.

“Ende nuk ka vendim, do me thënë ka diskutime, ka konsultime, ka projekte, ka analiza, ende nuk ka vendim të prerë. Shkollat do t’i marrin nxënësit e klasave të para qysh i kanë planifikuar, do me thënë deri në këtë fazë nuk ka asnjë vendim. Por, përndryshe konsultimet e fundit do të jenë këtë javë dhe javën tjetër do të fillojmë konsultimet me prindër. Unë veç se i kam bërë konsultimet me këshilla të prindërve, sindikatën e arsimtarëve, me drejtorë”, deklaroi Lushaku.

Ajo theksoi se plani përfshin një periudhë 4-vjeçare.

Për mbajtjen e mësimit tërëditor në Këshillin e Prindërve të Prishtinës kërkuan intervenime në infrastrukturë.

“Kemi kërkuar nga Komuna që të shikojë nëpër detaje infrastrukturën e shkollave përkatëse dhe t’i bëjë ndryshimet e nevojshme për ta filluar mësimin tërë ditor, pra për mbarëvajtjen e mësimit dhe jo vetëm. Duhet të krijohen hapësira rekrative, kabinete për lëndët specifike si muzikës, sportit e tjerë, por edhe hapësira të tjera për pushime ditore dhe të krijohen kushtet e nevojshme për të ushqyer”, deklaroi Fisnik Dërguti, kryetar i Këshillit.

Mësimi për nxënësit në pesë shkollat që do të përzgjidhen, do fillojë në orën 8:00 e do të zgjasë deri në orën 15:00. 

Sipas aktivistes për çështje të arsimit, Valmira Morina, orari duhet të jetë 8-orësh.

“Nëse veç fillohet mësimi tërë ditor atëherë duhet të jetë prej orës 8 deri në ora katër ose deri në ora pesë për shkak se në momentin që është mësimi tërë ditor për shumicën e prindërve veç është barrë financiare për shkak se po detyrohen t’i dërgojnë dhe në qëndrim ditor, mandej mësimdhënësi me dërguar në shkollë apo me marr nga shkolla pasi të dy prindërit janë duke punuar”, theksoi Morina.

Një pilotprojekt për mbajtjen e mësimit gjithëditor pati nisur para 7 vjetësh, por u ndërpre për mungesë të kushteve infrastrukturore.