Arbëri

Prishtina jep afro 224 mijë euro për konsulencë

Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka dhënë kontrata për 6 persona fizikë për shërbime për konsulencë ... për menaxhim të projekteve për nevojat e Komunës. Vlera e paraparë e tenderit ka qenë 400 mijë euro, por nga këto mjete do të shpenzohen afro 224 mijë euro, ku secili nga ekspertët e angazhuar do të paguhet prej 32 deri në afro 40 mijë euro për tre vjet. Procedura është kritikuar nga LVV-ja në Prishtinë, ndërsa në Komunë nuk kanë dhënë sqarime lidhur tenderin, dhe as atë se çfarë konkretisht do të bëjnë personat e angazhuar

Procedurat për tenderin e Komunës së Prishtinës në vlerë prej 12 milionë eurosh për angazhimin e një kompanie për konsulta për projektin që ka të bëjë me themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit janë duke vazhduar, por ky institucion tashmë ka dhënë kontrata për 6 persona fizikë për shërbime për konsulencë ... për menaxhim të projekteve për nevojat e Komunës.

Për tre vjet, nga rreth një mijë euro në muaj, Komuna e Prishtinës do të paguajë 6 ekspertë që i ka angazhuar nëpërmjet një tenderi, vlera e paraparë e të cilit ka qenë 400 mijë euro.

Por nga këto mjete do të shpenzohen afro 224 mijë euro, ku secili nga ekspertët do të paguhet prej 32 deri në afro 40 mijë euro për tre vjet.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila është në opozitë në Prishtinë, vlerëson se është e dhimbshme se si po shpenzohet buxheti i Komunës së Prishtinës.

Sipas këshilltarit komunal të kësaj partie, Gëzim Sveçla, Komuna e Prishtinës po e keqpërdor buxhetin. “Mendoj se edhe ky është një në vazhdën e keqpërdorimit të parasë publike, mendoj që Komuna e Prishtinës ka ekspertë të mjaftueshëm të cilët kishin me i mbikëqyrë ato projekte. Kur kësaj ia shton edhe faktin që s’po shohim projekte që po zhvillohen, atëherë definitivisht ka keqpërdorim të parasë publike”, ka thënë Sveçla, në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas tij, përfituesit janë persona të afërt me pushtetin dhe se në mesin e tyre ka ish-kandidatë për asamble e familjarë të zyrtarëve komunalë.

“Është bërë një lloj punësimi i këtyre personave, për shkak se nuk ka pasur mundësi ligjore të veprohet ndryshe, atëherë e kanë shpikur këtë fjalën konsulencë, e cila tashmë po përdoret shumë në Komunën e Prishtinës dhe janë pranuar këta persona që siç e thashë, janë të afërt me partitë në pushtet”, është shprehur Sveçla.

Komuna e Prishtinës nuk i ka komentuar kritikat e LVV-së. Ata nuk kanë dhënë sqarime për KOHËN, lidhur me atë se çfarë konkretisht do të bëjnë personat e angazhuar, cilat janë projektet konkrete të cilat do t’i menaxhojnë e pse komuna nuk ka angazhuar staf të brendshëm për këto punë. Për këtë tender të mërkurën nuk janë deklaruar në AAK, e cila gjithashtu është në opozitë.

Në njoftimin për dhënie të kontratës nuk janë dhënë sqarime se cilat janë ose cilës fushë i takojnë projektet që do të mbikëqyren nga personat e angazhuar. Përshkrimi i kontratës është “Shërbime për konsulencë për angazhim të 10 ekspertëve për menaxhim të projekteve për nevojat e Komunës së Prishtinës”.

Njësoj sikurse njoftimi për kontratë për tenderin 12-milionësh, edhe ky njoftim për dhënie të kontratës për këtë tender është bërë në emër të Kuvendit të Komunës së Prishtinës.

Ditë më parë, KOHA ka raportuar lidhur me njoftimin për kontratë, bazuar në të cilin Komuna e Prishtinës ka paraparë ta paguajë një kompani për konsulta për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit. As për atë procedurë tenderuese, Zyra për media e Komunës nuk ka kthyer përgjigje.

Ata nuk kanë treguar se pse është e nevojshme një kontratë e tillë për konsulta, kur Komuna e ka Drejtorinë e Urbanizmit, si dhe Drejtorinë e Planifikimit Strategjik, e cila, ndër të tjera, është përgjegjëse për planifikimin e zhvillimit hapësinor e urbanistik, si dhe hartimin e planeve zhvillimore e rregulluese urbane.

Në njoftimin për kontratë që është publikuar, i vetmi përshkrim i punës që do të bëhet për 12 milionë euro është “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës sipas përshkrimit teknik”.