Komuna e Prishtinës njoftoi se vizita e Bernard Kouchnerit në Kosovë është anuluar.
Në komunikatën për media u tha të hënën se vizita është anuluar “për shkak të çështjeve logjistike të ndërlidhura me Dr. Kouchner”.
Aty u theksua se Komuna do të njoftojë sapo të ricaktohet data e vizitës.
“Ju njoftojmë se vizita e Dr. Bernard Kouchner në Kosovë, dhe të gjitha ngjarjet e planifikuara për datën 11 qershor 2024 janë anuluar. Vizita është anuluar për shkak të çështjeve logjistike të ndërlidhura me Dr. Kouchner. Posa të ricaktohet data e vizitës do t'ju informojmë në kohë. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftim.
Kouchneri të martën në Kosovë
Ish-përfaqësuesi i Lartë i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, do ta vizitojë Kosovën të martën dhe të mërkurën, ka njoftuar Ambasada e Francës.
Kouchner do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Atij do t’i dorëzohet “Çelësi i Qytetit” nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ndërsa do të zbulohet edhe një pllakë e një rruge të emërtuar me emrin e tij.
Më 12 qershor Kouchner do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës në një seancë solemne.
Siç ka bërë të ditur Ambasada e Francës në Kosovë, Kouchner do ta vizitojë edhe Graçanicën gjatë vizitës së tij në Kosovë.
Kouchner ishte Përfaqësues i Lartë i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë nga viti 1999 deri në vitin 2001 dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Francës, do të vizitojë Kosovën më 11 dhe 12 qershor 2024.