Zyrtarë të sektorit publik në Podujevë, në dy muajt e fundit të vitit të shkuar mbetën pa paga. Buxheti nga kategoria prej nga paguhen u mor për pagesë të vendimeve gjyqësore. U desh intervenimi i Ministrisë së Financave, që punonjësit t’i marrin pagat. Komuna vjet pagoi gati 2 milionë euro për vendimet gjyqësore, që dalin nga kontrata kolektive
Një milion e 888 mijë e 992 euro i janë marrë vjet Komunës së Podujevës nga buxheti si pasojë e vendimeve gjyqësore për pagesat që dalin nga kontrata kolektive.
Pjesa më e madhe e mjeteve janë marrë nga kategoria e pagave dhe mëditjeve, për çka Komunës i përfunduan para kohës mjetet e kësaj kategorie.
Zyrtarët komunalë kanë deklaruar gjatë seancës së një jave më parë se Ministria e Financave ka alokuar mjete shtesë në vlerë mbi 200 mijë euro, meqë ndryshe ata që paguhen nga buxheti do të mbeteshin pa paga në muajt nëntor e dhjetor 2022.
“Këto mjete kanë rrjedhë nga kontrata kolektive e cila është nënshkruar në vitin 2017 dhe e cila i obligon komunat që t’iu paguajnë të gjithë atyre që i padisin institucionet komunale për pagën jubilare, pagën përcjellëse, shujtat dhe transportin. Andaj, meqenëse janë vendime gjyqësore që komuna obligohet që t’i paguajë, vitin e kaluar nga buxheti i shtetit përmes thesarit janë ekzekutuar këto pagesa”, ka thënë Fatri Zhitia, zëdhënës në Komunën e Podujevës.
Zyrtarët komunalë janë detyruar që mbi gjysmë milioni euro t’i marrin edhe nga kategoritë e tjera buxhetore. Kjo është theksuar edhe në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ku është konstatuar se Komuna ka bërë keqklasifikim.
“Nga testimi i mostrave tona kemi vërejtur se ishin bërë keqklasifikime të shpenzimeve nëpër kategori ekonomike në vlerë 672,897€. Nga kjo vlerë thesari kishte paguar sipas vendimit përmbarimor të gjykatës për paga jubilare dhe shujta për arsimtar nga kategori investimet kapitale 401,980€, nga kategoria mallra dhe shërbime 67,809€, dhe subvencione dhe transfere 109,524€. Po ashtu nga kategoria investime kapitale komuna kishte paguar 93,584€, që për nga natyra i takojnë kategorisë mallra dhe shërbime”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Zëdhënësi Zhitia shpreson të mos e kenë të njëjtin problem edhe këtë vit.
“Rreziku ekziston, por meqenëse pothuajse shumica e atyre që i kanë paditur institucionet për moskryerjen e këtyre obligimeve janë kompensuar deri tash, po shpresojmë që nuk do të arrijë kjo shifër që do të duhej të paguanim nga kategoritë e tjera vendimet gjyqësore nga dobi të palëve ankuese”, u shpreh Zhitia.
Kontrata kolektive është futur në fuqi në vitin 2014.