Arbëri

Komuna e Pejës qe 15 vjet nuk monitorohet nga shoqëria civile

Shoqëria civile në qytetin e Pejës tash e 15 vjet nuk është marrë me monitorimin e përgjithshëm të punës së institucioneve komunale. Në Komunë pohojnë se i kanë ftuar organizatat joqeveritare ta monitorojnë punën e Komunës, por ato nuk kanë treguar interesim.

Po bëhen gati 15 vjet që kabineti i kryetarit të Komunës, drejtoritë komunale dhe Kuvendi Komunal nuk janë monitoruar nga shoqëria civile, e cila do t’u raportonte pastaj qytetarëve paanshëm, nëpërmjet raporteve vjetore.

E për këtë mungesë të monitorimit, kryetari i Kuvendit të Komunës së Pejës, Islam Husaj, i fajëson drejtpërdrejt organizatat joqeveritare në këtë qytet, të cilat, sipas tij, nuk tregojnë fare interesim në këtë drejtim.

Ai thotë se Komuna i ka pasur dyert e hapura dhe se ai vetë shumë OJQ-ve iu ka propozuar që ta marrin rolin e monitoruesit.

“Të shikojnë se si po punohet dhe çka po punohet dhe të bëjnë raport për publikun për qytetarët. Por asnjëra nuk ka shprehë gatishmëri që me qenë pjesë e monitorimit të saj”, ka thënë ai.

Herën e fundit institucionet komunale të Pejës janë monitoruar deri në vitin 2007 nga organizata joqeveritare “Syri i Vizionit”.

Por pas ndryshimit të ligjit për vetëqeverisje lokale në vitin 2008, kjo OJQ është përqendruar në monitorimin e punës së Zyrës së Prokurimit të Komunës, pasi me ndryshimin e këtij ligji kanë ndryshuar edhe kompetencat e Ekzekutivit dhe Kuvendit të Komunës.

“Shpesh here, vendime në rast të caktuar edhe politike, merren edhe nga Zyra e kryetarit ose nga të tjerët. Mirëpo zbatimi i tyre shkon përmes zyrës së prokurimit. Për ata ne e kemi prek këtë pikën e prokurimit si një prej pikave më të rëndësishme të monitorimit”, ka deklaruar Veton Mujaj, drejtor i “Syri i Vizionit”.

Mujaj e sheh të rëndësishme angazhimin edhe të OJQ-ve të tjera në Pejë në monitorimin e institucioneve komunale, veçmas në menaxhimin e parasë publike.

Por, sipas tij, në Pejë ka pak OJQ aktive dhe ato që janë kanë tematika të tjera e jo demokratizimin dhe se mjaft prej tyre janë të interesuara që të përfitojnë mbështetje financiare nga Komuna, për çka, siç thotë Mujaj, edhe nuk duan ta kritikojnë Komunën.

Mirëpo në Komunë pohojnë se nga kodi i subvencioneve, kryetari i Komunës financon në përgjithësi vetëm OJQ-të e karakterit shërbyes, kurse jo edhe OJQ-të e natyrave të tjera.

“Varësisht nga specifika e momentit, që mund të paraqitet, mund të përfitojnë ndonjë subvencion të caktuar, por në përgjithësi subvencionet të cilat janë të përditshme bazohen në OJQ-të shërbyese”, është shprehur Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë.

Dhe kjo, sipas tij, është një praktikë që ndiqet nga Komuna për më shumë se një dekadë, ku financohen OJQ të ndryshme të cilat ofrojnë shërbime shëndetësore, sociale e kulturore.