Arbëri

Komuna e Obiliqit subvencionoi OJQ-të pa thirrje publike dhe pa vërtetim tatimor

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Obiliqit kishte subvencionuar OJQ-të pa thirrje publike. Përveç kësaj, Komuna nuk kishte kërkuar vërtetimin tatimor mbi kryerjen e obligimeve ndaj ATK-së, dhe për pasojë, njërës nga OJQ-të përfituese i ishte konfiskuar një pjesë e mjeteve sapo i ishin alokuar. Opozita e konsideron këtë si shlyerjeve të borxhit ndaj personave që kanë kryer obligime parazgjedhore për partinë në pushtet dhe ka ftuar Prokurorinë që të nisë hetimet

Pa thirrje publike e pa vërtetim tatimor mbi kryerjen e obligimeve ndaj ATK-së kishte subvencionuar Komuna e Obiliqit disa OJQ vitin e kaluar. Përveç që është konsideruar shkelje e Rregullores së Ministrisë së Financave mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërejtur se një OJQ-shoqëri aksionare kishte borxhe ndaj ATK-së. Për pasojë asaj i ishte konfiskuar një pjesë e mjeteve nga ATK-ja sapo ia kishte alokuar Komuna.

“Sipas nenit 2.1 të Rregullores MF-Nr.04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të Organizatës Joqeveritare (OJQ), përcakton që dispozitat e kësaj rregulloreje zbatohen nga çdo organizatë buxhetore e cila financon projektet dhe programet e OJQ-ve, të cilat janë aplikues apo partner në aplikimet, sipas një thirrjeje publike për financim të projekteve dhe programeve të OJQ-ve, dhe të cilat i plotësojnë kriteret sipas kësaj Rregulloreje”, thekson raporti i ZKA-së.

Në dy raste, sipas Auditorit, janë ekzekutuar pagesa pa pasur shpallje publike.

“Rasti i parë ishte ekzekutuar në bazë të vendimit të Kryetarit në shumë prej 1,000€ (OJQ), dhe rasti i dytë përmes vendimit të Kuvendit Komunal në shumë prej 30,000€ (Shoqëri aksionare). Bazuar në kriteret dhe procedurat për financimin me subvencione, komuna nuk ka kërkuar vërtetimin tatimor mbi kryerjen e obligimeve ndaj ATK-së. Për me tepër, përfituesi i regjistruar si shoqëri aksionare ka pasur obligime tatimore dhe me rastin e pagesës, ATK ka aplikuar ndalesën në Thesar, dhe përfituesi si shoqëri aksionare ka përfituar shumën prej 27,717€”.

KOHA i ka dërguar pyetje zyrtarëve komunalë të Obiliqit rreth vërejtjeve të Auditorit, por që nga 16 gushti nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, opozita në këtë komunë ka thënë se në kushte normale Prokuroria do të duhej të niste hetimet ndaj zyrtarëve komunalë.

“Komuna e Obiliqit ka bërë subvencionimin pa pasur thirrje publike dhe si rrjedhojë konsiderohet që është bë një subvencionim i qëllimshëm ose si një shlyerje borxhi ndaj një personi, ose një organizate e cila ka kryer obligime parazgjedhore. Në këtë rast, nuk iu është kërkuar as vërtetimi i kryerjes së obligimeve tatimore, dhe si rrjedhojë, sipas informatave që kemi ato janë ndalur nga Administrata Tatimore e Kosovës e një pjese të atyre mjeteve”, ka thënë Sami Ahmeti, shef i Grupit të kuvendarëve të LVV-së në Obiliq. “Do të thotë, në përgjithësi raporti i Auditorit që ka dalë me mbi ose 15 gjetje, janë vërejtje që ndodhin edhe në vitet e kaluara, disa janë të reja dhe kryesisht ka të bëjë me subvencionimin, me kontrata pune pa kryer obligimet siç duhet të jetë dhe kryesisht konsiderohet se janë shkelje ligjore me të cilat Komuna e Obiliqit edhe pajtohet e që në raste normale një prokurori do të merrej direkt me të, sepse shkeljet e ligjit i kanë pranuar si të tilla”.

Në anën tjetër Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar se rastet e lartcekura pa thirrje publike dhe pa kritere të kërkuara sipas rregullës përkatëse, kanë ndikim në shfrytëzim joracional të buxhetit, mostransparencë publike dhe përfitues jo të përgjegjshëm.

“Kjo ka ndodhur për shkak të mungesave të kontrolleve adekuate si dhe mungesa e kritereve në rregulloren e brendshme për subvencionimin në rastet kur mjetet ndahen sipas vendimeve të Kuvendit Komunal. Kryetari duhet të sigurojë se me rastin e subvencionimit të OJQ-ve do të respektohen kërkesat e dala nga rregullorja, ashtu që mbështetja financiare për OJQ-të, të bëhet me thirrje publike sipas kritereve të përcaktuara me rregullore”, thekson raporti.