Afro 300 mijë euro është shuma që Komuna e Obiliqit është detyruar të paguajë nga vendimet gjyqësore/përmbarimore gjatë vitit 2022.
Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj vjetor thekson se Komuna është detyruar të paguajë mbi 120 mijë euro për shpenzimet përmbarimore dhe interesin për shkak të vonesës së pagesave për projekte kapitale.
“Si rezultat i vonesave në ekzekutimin e pagesave, nga kategoria e investimeve kapitale komuna ka paguar shumën prej 296,878€ si pasojë e vendimeve gjyqësore/përmbarimore duke përfshirë borxhin, interesat dhe shpenzimet përmbarimore në shumë prej 120,554 euro. Kjo ka ndodhur për shkak kontrolleve jo adekuate në ekzekutimin e pagesave dhe menaxhim jo i mirë financiar lidhur me detyrimet e papaguara”, thekson raporti i ZKA-së.
Neni 39 i Ligjit për menaxhimin e financave publike përcakton që Zyrtari Kryesor Financiar i Organizatës buxhetore është përgjegjës për të siguruar që çdo faturë e vlefshme dhe kërkesë për pagim për mallra dhe shërbimet e furnizuara dhe/ose punët e realizuara për autoritetin kontraktues, të paguhen brenda tridhjetë (30) ditëve kalendarike pas pranimit të faturës ose kërkesës për pagim. Ndërsa sipas nenit 40 të këtij Ligji, fatura mund të ekzekutohet direkt nga Thesari pas marrjes së urdhrit të prerë nga gjykata/përmbaruesi.
Pagesat përfshirë shpenzimet tjera përcjellëse të përmbarimit dhe interesit, sipas Auditorit, ka shkaktuar kosto shtesë duke e dëmtuar buxhetin e komunës.
“Kryetari duhet të forcojë kontrollet e brendshme duke e rrit mbikëqyrjen dhe verifikimin e rregullt të raporteve të detyrimeve të papaguara, njëherit duhet të siguroj që të gjitha faturat paguhen brenda afatit ligjor”, thuhet në raport.
Zyrtarët komunalë të Obiliqit që nga e mërkura e javës së kaluar nuk i ka kthyer përgjigje Kohës lidhur me këto gjetje.
Ndërkohë, në raportin e ZKA-së thuhet se menaxhmenti i komunës është pajtuar me gjetjen e Auditorit.