Arbëri

Komuna e Lipjanit sprapset pas ankesave për lokacionin ku groposeshin kafshët

Banorë të katër fshatrave të Komunës së Lipjanit dhe të Shtimes kanë arritur rezultate, pas aksioneve kundër lokacionit për groposjen e kafshëve të ngordhura afër shtëpive të banimit. Pas një takimi me përfaqësues të Komunës dhe ata të USAID-it, shefat e kuvendarëve të subjekteve politike kanë dhënë zotimin se vendimin për lokacionin do ta shfuqizojnë dhe do të vendosin për një lokacion të ri

Drejtuesit e Komunës së Lipjanit në bashkëpunim me përfaqësues të USAID-it kanë organizuar të premten një takim me shefat e grupeve të kuvendarëve dhe me përfaqësuesit e banorëve të fshatrave Kraishtë dhe Bregu i Zi të kësaj komune, si dhe me ata të fshatit Godanc dhe Varigoc të Komunës së Shtimes. Në takim është diskutuar rreth shfuqizimit të vendimit për groposjen e kafshëve në lokacionin afër këtyre vendbanimeve.

Ndërkaq, pas arritjes së marrëveshjes që kuvendarët e të gjitha subjekteve politike në mbledhjen e radhës ta votojnë propozim-ndryshimin e vendimit të Komunës për një lokacion të ri, banorët e këtyre lokaliteteve kanë dorëzuar edhe peticionin e përgatitur gjatë ditëve të fundit me 500 nënshkrime.

“Sot jemi bashkë me banorët dhe diskutuam që ne si komunë jemi të gatshëm të ofrojmë zgjidhje për kërkesën e tyre për ndërrimin e lokacionit. Së bashku me kryetarin e Komunës, kemi vendosur që t’i propozojmë Asamblesë komunale një lokacion të ri dhe të ndërrohet lokacioni aktual që është në fshatin Kraishtë, duke u bazuar në kërkesat e banorëve që kanë pasur”, ka thënë Diamant Bytyqi, nënkryetar i Komunës së Lipjanit.

Edhe kuvendarët kanë dhënë zotimin se do të votojnë pro ndërrimit të lokacionit.

“Ne si përfaqësues të tri partive më të mëdha në Kuvendin Komunal ramë dakord që ato kafshë të ngordhura të mos groposen aty dhe të respektohet vullneti i qytetarëve. Pra vullneti i tyre ka qenë që të ndërpritet menjëherë për arsye të infeksioneve dhe që janë afër shtëpive. Po ashtu u dakorduam që bashkërisht me nënkryetarin dhe të gjithë përfaqësuesit ta gjejmë një ridestinim, ku nuk do ta pengojë askënd dhe nuk do të ketë dëme anësore”, ka thënë Arsim Jashari, shef i kuvendarëve të PDK-së.

Ndërkaq Armend Luma, iniciator i nënshkrimit të peticionit, ka thënë se vendimin e Kuvendit Komunal që ishte nxjerrë rreth katër vjet më parë e kanë kundërshtuar vazhdimisht për shkak të ndotjes së puseve të ujit.

“Nuk i ka as 100 metra larg shtëpive të banimit. Aty kemi puse të ujit, e kam përmendur që aty është edhe një çezme e ‘Asimit’ si ujë shërues. Në takimin e sotëm na premtuan se do t’i zhvendosin nga ty, por në rast se nuk e kryejnë premtimin, ne prapë jemi të vendosur që të mos i lejojmë aty si qytetar”, ka thënë Luma.

Në mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal pritet të shqyrtohet peticioni i banorëve dhe të caktohet një lokacion i ri brenda territorit të Komunës ës Lipjanit për groposjen e kafshëve të ngordhura.