Përfaqësues të klubit të futbollit “Ulpiana92” në Lipjan kanë akuzuar qeverisjen lokale të Imri Ahmetit me arsyetimin se janë diskriminuar për shkaqe politike në procesin e ndarjes së subvencioneve.
Ky klub kishte funksionuar shumë kohë para luftës në Kosovë, ndërkohë me dokumentacion është rifunksionalizuar në vitin 2018 me qëllim që t’i ruhen vlerat e ish-lojtarëve të suksesshëm të asaj kohe.
Ramiz Qeriqi, kryetar i KF “Ulpiana92” njëherësh kuvendar nga radhët e AAK-së në Lipjan, tha se Komuna e ka diskriminuar klubin vetëm se është zë kritik ndaj kryetarit të Komunës në mbledhjet e Kuvendit. Sipas Qeriqit, në sport nuk duhet të ketë diskriminime dhe politika të tilla, raporton KOHA.
E trajneri i këtij klubi, Tahir Sopa, tha se po synojnë të kualifikohen për ligën e dytë.
Edhe lojtarët po kërkojnë mbështetje nga institucionet përkatëse derisa thonë se nuk janë të politizuar.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, gjatë së dielës nuk ka qenë i qasshëm, ndërkohë në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal ka thënë se në të ardhmen secili klub sportiv, i cili ka traditë dhe qëllim të sportit do ta ketë mbështetjen e Komunës, por klubet që kanë për qëllim mbushjen e xhepave të vet nuk do të mbështeten asnjëherë.