Arbëri

Komuna e Kllokotit pranoi kërkesën e parashtruar në gjuhën shqipe pas reagimit nga Avokati i Popullit

Foto: Koha

Avokati i Popullit ka konstatuar se Komuna e Kllokotit ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke i mohuar një organizatës joqeveritare qasjen në dokumentet publike me arsyetimin se kërkesa e tyre nuk ishte parashtruar në gjuhën serbe.

Iniciativa për Progres (INPO) kishte kërkuar qasje në dokumentet e prokurimit dhe kërkesa ishte parashtruar në gjuhën shqipe, mirëpo ajo nuk ishte pranuar nga qeverisja komunale e Kllokotit, të cilët kishin insistuar që kërkesa të parashtrohej në gjuhën serbe dhe vetëm atëherë do të ofronin një përgjigje.

INPO i kishte rikujtuar komunës obligimet që burojnë nga Kushtetua e Kosovës ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe përdorimi i saj është i rregulluar me ligjet në fuqi. Por kjo nuk është marrë parasysh nga komuna. Pas kësaj INPO i është drejtuar Avokatit të Popullit me ankesë.

Avokati i Popullit ka trajtuar këtë rast dhe ka publikuar edhe raportin ku edhe bënë një përshkrim të çështjes.

INPO-ja përmes postës elektronike iu ka drejtuar komunës së Kllokotit me kërkesë për qasje në kontratat e prokurimit respektivisht për kontratën “Furnizimi me inventar për shkollat” dhe “Ndërtimi i kanalizimit te shkolla e vjetër në Mogillë, në Mamushë”.

Komuna e Kllokotit nëpërmjet postës elektronike ka kërkuar nga INPO-ja që kërkesën për qasje në dokumente publike t’ia dërgonte në gjuhën serbe në mënyrë që komuna t’i përgjigjej kërkesës së tyre.

Në po të njëjtën ditë, INPO-ja iu ka përgjigjur komunës së Kllokotit duke iu referuar Kushtetutës dhe ligjit për përdorimin e gjuhëve zyrtare në Republikën e Kosovës, me ç ‘rast e ka njoftuar komunën e Kllokotit për pamundësinë që kërkesa të paraqitej në gjuhën serbe për arsye se personeli i INPO-së nuk e zotëronte gjuhën serbe.

INPO-ja iu ka drejtuar komunës së Kllokotit për qasje në aktivitetet e prokurimit me titull “Rinkonstruimi dhe zgjerimi i ndriçimit publik për komunën e Kllokotit” dhe “Furnizim me shenja të komunikacionit vertikal dhe horizontal dhe panelet për ndriçim”.

“INPO-ja ka marrë përgjigje të njëjtë” thuhet në këtë raport. Institucioni i Avokatit të Popullit thekson se Kushtetuta e Kosovës përcakton gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe si gjuhë zyrtare dhe sipas ligjit për përdorimin e gjuhëve në institucionet komunale zbatohet barazia e gjuhëve. Dhe për shkak që kanë status të barabartë atëherë duhet të sigurohen edhe shërbime të përkthimit nga një gjuhë në gjuhën tjetër nëse një gjë e tillë kërkohet.

“Prandaj kërkesa e komunës së Kllokotit që INPO-ja kërkesën për qasje në dokumente publike ta adresojë në gjuhën serbe është në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore të zbatueshme në vend”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Pasi Avokati i Popullit ka konstatuar shkeljet të cilat i ka kryer komuna e Kllokotit, këta të fundit janë detyruar që të pranojnë kërkesën e organizatës e cila është parashtruar në gjuhën shqipe. Drejtoresha e organizatës “INPO”, Albulena Nrecaj deklaron se është dashur 1 vit të presin që kjo çështje të marrë epilog.

Ajo deklaron se për shkak të rekomandimeve të Avokatit të Popullit është detyruar komuna e Kllokotit të ofrojë qasje në dokumente publike. Por thotë se dokumentet të cilat janë ofruar nga komuna tani nuk janë relevante për shkak të periudhës së gjatë të pritjes.

“Na kanë kthyer përgjigje mbas 1 viti mbasi ka intervenuar Avokati i Popullit. Ato dokumente të cilat i kemi kërkuar nuk janë relevante sepse ato janë nevojitur në atë kohë. Qasja në ato dokumente na nevojitur për monitorim për atë periudhe kohore. Dhe për shkak se kemi marr dokumentacionin me vonesë nuk kemi pasur mundësi që të bëjmë matjet e prokurimit për komunën e Kllokotit. Në rast se ata nuk do të zbatonin rekomandimet e Avokatit atëherë si palë ankuese kemi pasur të drejtë që të bëjmë padi në gjykatë. Ata kanë pranuar kërkesën në gjuhën shqipe kurse dokumentacionin i cili na është ofruar është në gjuhën serbe” ka thënë ajo.

Ndërkaq nënkryetarja për komunitete në komunën e Kllokotit, Selvije Rexhepi deklaron se nuk ka njohuri për këtë çështje. Ajo deklaron se në rast se do të parashtrohej ndonjë kërkesë në adresë të saj sigurisht se do të ofronte një përgjigje.

“Nuk kam njohuri se ku e ka bërë atë kërkesë organizata. Se varet ku e ka bërë atë kërkesë tek ndonjë departament tek kryetari. Tek unë askush nuk ka bërë ndonjë kërkesë se përndryshe do ta trajtoja. Dhe nuk kam njohuri për këtë çështje për të cilën po bisedojmë” ka thënë ajo.

Komuna e Kllokotit drejtohet nga subjekti politik “Lista Srpska” e cila nuk njeh shtetin e Kosovës. Kryetari i kësaj komune është Bozhidar Dejanoviq. Komuna gjendet në afërsi me komunën e Vitisë. Komuna e Kllokotit është një komunë multietnike e përbërë nga serbet të cilët përbëjnë shumicën, të pasuar nga shqiptarët. Kjo komunë ka afro 3 mijë banorë.