“Kjo ndihmesë e Komunës është edhe një masë stimulimi për shtimin e popullatës në komunën tonë. Në fakt, kjo mbështetje financiare është në përgjegjësi të nivelit qendror për t’u përkujdesur për shtimin e popullatës që po shihet se është në rënie”, tha për KOHËN kreu i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj
Rënia e numrit të lindjeve në Komunën e Klinës dhe me qëllim që t’i stimulojë lindjet e fëmijëve, Komuna e Klinës ka vendosur që të sigurojë mjete buxhetore për t’i mbështetur financiarisht fëmijët e porsalindur dhe nënat lehona. Këto pagesa parashihet të bëhen për fëmijët që lindin nga tash e tutje, pos të bëhet i plotfuqishëm vendimi i Kuvendit Komunal.
Këto pagesa, siç tha të hënën për KOHËN kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj, do të bëhen nga kategoria e subvencioneve. “Për fëmijën e parë do të paguhen 180 euro, për fëmijën e dytë 200 euro, kurse prej fëmijën e tretë dhe tutje vazhdon nga 250 euro ndihmesa për lindjen e fëmijës”, tregoi kreu i Klinës, shumat që do të jepen për të porsalindurit.
Kjo pagesë, sipas tij, do të bëhet vetëm një herë për çdo fëmijë kur të lindë. Se deri kur do ta bëjë këtë pagesë për fëmijët e porsalindur, Komuna nuk ka caktuar një afat kohor, por siç thotë kryetari i Klinës, derisa Qeveria e Kosovës sjell ndonjë vendim apo masë tjetër simuluese për lindjet e fëmijëve. “Kjo ndihmesë e Komunës është edhe një masë stimulimi për shtimin e popullatës në komunën tonë. Në fakt, kjo mbështetje financiare është në përgjegjësi të nivelit qendror për t’u përkujdesur për shtimin e popullatës që po shihet se është në rënie”, tha Elezaj.
Iniciativa për të ndihmuar komuna të porsalindurit dhe nënat lehone, ka qenë e këshilltares së LVV-së në Kuvendin Komunal të Klinës, Saranda Elezaj. Ajo tregoi se propozimin për këtë mbështetje financiare e ka bërë në Kuvend në muajin mars, por u shfaq pandemia dhe nuk janë mbajtur takimet e Kuvendit. “Pas lirimit të masave, kur nisëm me i mbajt edhe takimet e Kuvendit, kërkesën e kemi bërë në seancën e muajit shtator dhe kjo kërkesë ka dalë si pikë në takimin e fundit të Kuvendit në fund të janarit, kur edhe është mbështetur dhe miratuar nga të gjithë këshilltarët e Kuvendit”, tha Elezaj.
Si arsye shtesë e kësaj kërkese, siç tha ajo, ka qenë se ka mjaft nëna që nuk punojnë dhe kanë plot obligime dhe njëkohësisht edhe rrisin fëmijë, por siç sqaroi ajo, kjo pagesë vlen për të gjithë fëmijët e porsalindur, pavarësisht se a ju punon nëna a jo.
“Fillimisht ideja ka qenë që kjo pagesë të bëhet për gjashtë muajt e parë pas lindjes së fëmijës, por për shkak të mundësive buxhetore të Komunës, është vendosur që kjo pagesë të bëhet vetëm një herë, kur të lindë fëmija”, tha ajo, duke shtuar se kjo pagesë gjithsesi ndërlidhet edhe me rënien e lindjeve në këtë komunë, si një lloj stimulimi për lindje të reja. Elezaj tregoi se ka bërë një hulumtim për rënien e numrit të lindjeve në këtë komunë, por të dhëna, siç tha ai, nuk kanë arritur të sigurojnë nga komuna me arsyetimin se nuk i posedojnë ato të dhëna.
Për numrin e lindjeve në këtë komunë vitet e fundit, KOHA ka kontaktuar drejtorin e Administratës Komunale, Binak Syla, i cili tha se të dhëna të sakta për numrin e lindjeve në këtë komunë nuk kanë, pasi sipas tij gratë e kësaj komune lindin edhe nëpër spitale rajonale.
“Por, pavarësisht se nuk i kemi ato të dhëna, ka rënie të lindjeve ndër vite dhe kjo vërehet me rënien e numrit të nxënësve që regjistrohen në shkolla, pasi çdo vit kemi zvogëlim të numrit të nxënësve, që nënkupton që ka rënie të lindjeve në këtë komunë”, tha Syla.