Arbëri

Komuna e Klinës synon që me përmbarues t’i kërkojë borxhet për tatim në pronë

Rreth 2 milionë euro janë grumbulluar nga borxhi i krijuar nga qytetarët dhe bizneset ndaj arkës komunale të Klinës për tatim në pronë. Kjo shumë e mjeteve të papaguar janë grumbulluar ndër vite, siç thotë drejtori i Financave në këtë Komunë, Aziz Desku, për të cilat deri tash komuna asnjëherë nuk ka proceduar lëndë te përmbaruesi për arkëtim të dhunshëm.

Në mars të vitit të kaluar, një ditë para 12 marsit, kur e tërë komuna e Klinës ishte futur në karantinë totale për tre muaj shkaku i rastit të parë të shfaqur me Covid-19, Desku tregon se ka qenë e përgatitur lënda në mënyrë që të dërgohen te përmbaruesi disa borxhlinj të mëdhenj për tatim në pronë. Por pasi e tërë komuna ishte futur në izolim total, kjo nuk kishte ndodhur.

“Nga borxhi total prej rreth dy milionë euro, në sa ka arritur shifra e borxhit për tatim në pronë, borxhet janë diku të barabarta që ia kanë komunës personat fizik dhe ata juridik. Deri tash komuna i ka kursyer borxhlinjtë nga inkasimi i dhunshëm përmes përmbaruesit, me mendimin se qytetarët dhe bizneset do të tregojnë kulturën e përgjegjësisë që kanë ndaj arkës komunale, por meqë kjo nuk ka ndodhur, sivjet borxhlinjtë nuk do t’i kursejmë nga përmbaruesit. Sivjet duhet të veprojmë sepse nuk kemi më zgjidhje tjetër. Komuna duhet të i arkëtojnë ato mjete”, tregon ai.

Por, siç thotë Desku, paraprakisht do u dërgohet borxhlinjve vërejtjet e fundit dhe nëse nuk i përgjigjën obligimit që ta shlyejnë borxhin, lënda e tyre do të përfundojë te përmbaruesi.

“Me përmbarues do të nisim me borxhlinjtë që kanë shuma më të larta të borxhit të papaguar, që në disa raste arrijnë edhe deri në katër mijë euro”, thotë Desku për KOHËN.

Kjo komunë vjet nuk ka arritur të i realizojë mjetet e planifikuara nga tatimi në pronë për vitin 2002. Situata me pandemi, ka ndikuar që kjo komunë të arkëtojë vetëm 303 mijë euro, prej 429 mijë sa kanë qenë të planifikuara të hyra nga tatimi në pronë për vitin e kaluar.

“Për dallim nga viti 2019, vjet kemi inkasuar rreth 69 mijë euro më pak. Edhe ajo që më së shumti ka ndikuar vjet në arkëtimin më të ulët të hyrave nga tatimi në pronë, ka qenë mu ajo periudhë prej tre muajve sa ka qenë komuna e Klinë në karantinë totale. Por pastaj muajt tjerë në vazhdim është rikthjellur arkëtimi i të hyrave nga tatimi në pronë dhe e kemi zënë trendin. Mos të kishte qenë ajo mbyllje prej tre muajve besoj që kishim arrit të realizojmë më shumë të hyra të planifikuara”, thotë Desku.

Megjithëse nuk ka arritur të i arkëtoj gjitha mjetet e planifikuara për vitin 2020 nga të hyrat nga tatimi në hyrat nga tatimi në pronë, Komuna Klinës të hyrat totale vetanake nga gjitha kodet e të hyrave, i ka tejkaluar vitin e kaluar.

“Në total prej gjitha llojet e të hyrave janë realizuar 986 mijë euro në vitin 2020. Të planifikuara kanë qenë 915 mijë të hyra vetenake. Por janë tejkaluar këto planifikime edhe nga të hyrat e gjobave të shqiptuara nga policia në trafik por edhe nga gjobat për mos respektimin e ligjit kundër pandemisë. Pa gjobat e policisë nuk e kishim arritur realizimin e të hyrave vetanake në total”, thotë Desku.

Mirëpo, në vitin 2020 komuna ka realizuar 177 mijë euro të hyra të tërësishme vetanake më pak se në vitin 2019. Dhe në rënien e arkëtimit të të hyrave të përgjithshme vetanake ka ndikuar gjithashtu pandemia, konkretisht edhe lirimi i shumë bizneseve nga taksat për afarizëm biznesor.

“Me një vendim të Kuvendit Komunal, vjet bizneset kanë qenë të liruara nga taksa e bizneseve për ata tre muaj sa ka qenë gjithë komuna në izolim, por nga këto taksa nuk kanë qenë të liruara bizneset që kanë punuar vazhdimisht gjatë asaj periudhe”, tha Desku.

Edhe për këtë lloj të takses, e cila varësisht nga lloji i veprimtarisë së biznesit, janë prej 40 deri në 420 euro në vit, sipas Deskut, bizneset e Klinës kanë mjaftë borxhe arkës komunale.

“Borxhet për taksa të bizneseve janë rreth 180 mijë euro. Kurse sa i përket borxhit nga veprimtaria afariste për taksat e bizneseve, ato i kemi dërguar në vitin 2019 te përmbaruesi, por edhe pse një pjesë e tyre janë inkasuar, por nuk kemi arritur me i inkasuar të gjithat”, thotë Desku, duke ua kujtuar bizneseve se Komuna serish do të shkojë me inkasim të dhunshëm të borxhit përmes përmbaruesit edhe për këto taksa.