Arbëri

Komuna e Fushë-Kosovës shpenzon vetëm 4 për qind të mjeteve për projekte kapitale

Qeveria komunale e Fushë-Kosovës ka shpenzuar pak më shumë se 300 mijë euro në gjashtë muajt e parë të këtij viti për projekte kapitale. Sipas një infografike të Institutit GAP, komuna për periudhën janar-qershor ka realizuar vetëm 4 për qind të mjeteve për këtë kategori dhe është renditur e 23-ta në tabelë. Komunarët kanë heshtur lidhur me këtë, e nga opozita thanë se pavarësisht kërkesave e nevojave të qytetarëve, ekzekutivit komunal nuk po i intereson kjo punë

As gjysmë milioni euro nuk i ka shpenzuar Komuna e Fushë-Kosovës për investime kapitale këtë vit. Në infografikën e publikuar nga Instituti GAP ditë më parë, që i referohet periudhës janar-qershor 2023, Fushë-Kosova është renditur e 23-ta me 340 mijë e 563 euro të shpenzuara për projekte kapitale ose vetëm 4 për qind të buxhetit të paraparë për këtë kategori.

KOHA ka kontaktuar Zyrën për informim dhe zyrtarë të kabinetit të kryetarit Burim Berisha, por nuk kanë qenë të gatshëm të prononcohen për këtë çështje.

E zyrtarët opozitarë nga Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës në këtë komunë, kanë thënë se qyteti ka mjaft kërkesa dhe nevoja për projekte por që, sipas tyre, ekzekutivi komunal nuk ka qëllim t’i realizojë ato.

“Arsyeja kryesore është keqmanexhimi i financave publike. Pra, shtoja këtu edhe neglizhencën, edhe dembelinë e cila e ka kaplua qeverisjen komunale, atëherë e kemi edhe këtë rezultat, pra që nuk po shpenzohen mjete të cilat janë të parapara për investime kapitale”, ka theksuar shefi i Grupit të asamblistëve të LVV-së, Durim Hajra.

Po ashtu, edhe shefi i Grupit të kuvendarëve të PDK-së në këtë komunë, Mirsad Qyqalla, ka thënë se është e pashpjegueshme se pse ekzekutivi komunal nuk i realizon projektet kur, sipas tij, i ka mjetet financiare

edhe njëherë e dëshmon që ky ekzekutiv nuk meriton të jetë aty ku është për faktin që mospuna e ka përfshi pothuajse komplet ekzekutivin dhe këtu tepër pak ose hiç punohet”, ka deklaruar Qyqalla.

Opozitarët kanë theksuar se edhe në vitin e kaluar Komuna e Fushë-Kosovës nuk ka qëndruar më mirë sa i përket realizimit të projekteve kapitale, duke u renditur e fundit nga komunat me 26 për qind të mjeteve të shpenzuara për këtë qëllim.