Komuna e Ferizajt ka dështuar ta ndërtojë një objekt për pensionistë të cilin ua pati rrënuar me qëllim të ndërtimit të nënkalimit dhe rrethrrotullimit në qytet. Për këtë projekt tre vjet më parë ishin nënshkruar marrëveshje dhe kontrata në mes të Komunës dhe Shoqatës së Pensionistëve, por deri më tash Komuna i ka shpërfillur ato. Shoqata e Pensionistëve në Ferizaj ka paralajmëruar padi ndaj Komunës
Komuna e Ferizajt prej më shumë se tre vjet ka dështuar ta ndërtojë objektin e pensionistëve të cilin e pati rrënuar me qëllim të ndërtimit të rrethrrotullimit dhe nënkalimit në qendër të qytetit.
Për këtë projekt asokohe ishin lëshuar edhe vendime nga Kuvendi Komunal, por Komuna deri më tash e ka shpërfillur atë.
Ndërkaq, Shoqata e Pensionistëve po funksionon në një objekt të stërvjetruar, i cili nuk i plotëson as kushtet minimale.
Kryetari i pensionistëve në këtë qytet, Nebih Mehmeti, ka thënë se janë të rrezikuar nga pjesa e epërme e objektit, nga rryma dhe nga mbeturinat të cilat shpeshherë banorët po i hedhin në hollin e kësaj ndërtese.
“Ka qenë premtimi, kanë qenë kontratat që do të plotësohen brenda tre vjetëve për të pasur të drejtë që ne të hyjmë në objektin e ri. Ka kaluar koha dhe ende s’ka asgjë , dhe as nuk ka filluar asgjë. Në Komunë po thonë se nuk kanë mjete, por është dashur të sigurohen mjetet e pastaj të rrënohet objekti jonë”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka paralajmëruar se do të iniciojnë padi ndaj Komunës nëse nuk reflektohet për ndërtimin e objektit siç është premtuar.
Pensionistët kanë thënë se objekti aktual nuk i plotëson as kushtet minimale për funksionim.
“Objektin e vjetër e kanë marrë, kurse neve na kanë sjellë këtu sikur në shtallë dhe na kanë thanë rrini këtu. Nuk ka as dritare dhe asgjë, bërllok para derës dhe bërllok brenda, nuk e dimë kah me shku”, ka thënë Ramadan Krivaça, pensionist.
Edhe pensionisti Njazi Musliu shpreh pakënaqësinë me Komunën.
“Nuk jemi të kënaqur me Kuvendin Komunal të Ferizajt. Nëse është lëshuar vendimi dhe është dhënë objekti i vjetër, atëherë duhet të ndërtohet objekti i ri . Kushtet teknike këtu për të qëndruar pensionistët nuk janë aspak të mira, siç shihet higjiena nuk është në nivelin e duhur, tualetet nuk janë askund hiç, gjatë kohës së dimrit është rrezik për neve, sepse gjithë ky objekt nuk nxehet me një nxemje me dy tela”, ka deklaruar Musliu.
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Ferizajt, Kemajl Emini, ka thënë se deri më tash projekti për ndërtimin e objektit të pensionistëve është zvarritur shkaku i mungesës së buxhetit.
Ai ka thënë se ndërtimi i tij pritet të fillojë sivjet së bashku me një objekt tjetër për shtëpinë e të moshuarve.
“Toka iu ka ndarë prej Kuvendit Komunal dhe është e destinuar për Shoqatën e Pensionistëve, por pasi që ka ardhur projekti për Shtëpinë e të Moshuarve rezidentë, ne jemi të interesuar që edhe Shtëpinë e Pensionistëve, por edhe ato për rezidentë t’i ndërtojmë afër njëra-tjetrës. Do të jenë objekte të veçanta, por afër njëra- tjetrës”, ka deklaruar Emini.
Sipas tij, objekti për pensionistë do të ndërtohet me buxhet të Komunës, ndërkaq shtëpia rezidenciale me buxhet të nivelit qendror.