Komuna e Ferizajt ka planifikuar nëpërmjet Kornizës Afatmesme Buxhetore ta menaxhoi pandeminë edhe gjatë vjetëve të ardhshme 2024-2026, ani pse pandemia është mbyllur zyrtarisht në maj të këtij viti nga Qeveria e Kosovës.
Organizata INPO ka kritikuar qeverisjen lokale. Ky dokument i KAB-it është miratuar edhe nga Kuvendi
Komunal i Ferizajt me kërkesë të kryetarit të Komunës Agim Aliut në qershor të këtij viti. Korniza Afatmesme Buxhetore 2024-2026 është cilësuar nga komuna si dokument bazik i nivelit të lartë strategjik komunal i cili pasqyron caqet e përgjithshme të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore si dhe strukturën përkatëse sipas kategorive ekonomike për të përmbushur objektivat e përcaktuara me strategjinë zhvillimore afatmesme komunale.
“Ky dokument do të jetë bazë për përcaktimin e sektorëve prioritarë të zhvillimit dhe identifikimin e prioriteteve të shpërndarjes së burimeve komunale për periudhën 2024-2026”, thuhet në hyrje të dokumentit.
Ndërkohë në këtë dokument specifikohet edhe situata për menaxhimin e pandemisë nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
“Përmirësimi i shëndetit publik dhe mirëqenies së qytetarëve. Vazhdimi i menaxhimit të pandemisë – në qeverisjen time të ardhshme komuna do të bëjë përpjekje maksimale për ruajtje të shëndetit dhe mirëqenies socio ekonomike. Ngritja e kapaciteteve emergjente me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të pandemisë”, thuhet midis të tjerash në dokumentin e Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitin 2024-2016 të Komunës së Ferizajt.
Kjo çështje ka nxitur reagimin e organizatës INPO e cila monitoron zhvillimet në komunën e Ferizajt. Rexhep Maloku, menaxher i projekteve në këtë OJQ, ka thënë se është shqetësuese se si hartohen dokumentet e rëndësishme në komunën e Ferizajt.
Sipas tij, ky dokument ka mundur të mos lexohet fare nga pushtetarët ose ka mundur të bëhet me qëllim një lëshim i tillë.
“Është shqetësuese për mënyrën sesi politika e rëndësishme publike hartohen e aprovohen kuturu. Kur edhe dokumentet e rëndësishme të qeverisjes lokale, sikur se është Korniza Afatmesme Buxhetore trevjeçare hartohen, ose më mirë të themi kopjohen pa u lexuar fare nga ekzekutivi dhe aprovohen nga Kuvendi Komunal, demonstron mungesën e qasjes serioze të autoriteteve lokale, të cilat kanë rol të rëndësishëm në hartimin dhe menaxhimit e politikave për shëndetin publik”, ka thënë Maloku.
Sipas tij, kjo shpërfaq gjithashtu shpërfilljen e ekzekutivit dhe legjislativit lokal kundrejt qytetarëve edhe kur bëhet fjalë për aspektet më të ndjeshme të mirëqenies publike.
“Por kjo qasje ‘copy-paste’ vetëm sa thellon hendekun dhe krizën e besueshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve”, ka thënë Maloku.
Qeveria e Kosovës në një mbledhje në maj të këtij viti pati mbyllur pandeminë Covid-19 pas një beteje për rreth 3 vjetësh.
Kërkesën për mbyllje të kësaj gjendjeje e pati bërë ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, duke u bazuar në situatën epidemiologjike në Kosovë, dhe në bazë të rekomandimit të Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik dhe deklaratën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Drejtoresha për financa në komunën e Ferizajt Sebahate Ajeti, nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje. Ndërkohë Albion Sherifi, shefi i kabinetit të kryetarit të komunës ka thënë se përgjegjëse për këto pyetje është drejtoresha Ajeti.
{gallery}