Arbëri

Komuna e Ferizajt akuzohet për gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm

Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) ka publikuar raportin dhe pasqyrat financiare të Komunës së Ferizajt për vitin 2022 në të cilin janë pasqyruar një varg shkeljesh të kësaj Komune. Pasqyrat Financiare Vjetore (PFV), paraqesin keq-klasifikimin e shpenzimeve të parasë publike në disa sektor derisa në 21 raste kjo komunë ka ekzekutuar pagesa mbi një milion e 269 mijë euro nëpër kategori jo adekuate.

Sipas raportit, auditorët kanë vërejtur dobësi evidente në fusha të rëndësishme financiare si: moszbatim i procedurave të duhura të prokurimit, menaxhimin e të arkëtueshmeve , mos prezantimi i saktë i detyrimeve kontingjente në PFV, keqklasifikimi i shpenzimeve në kategori jo adekuate di dhe dobësi në menaxhimin e pasurive përfshirë kontrollin e brendshëm.

“Gjetjet dhe rekomandimet kanë për qëllim të përmirësojnë informacionin financiar të paraqitur në pasqyrat financiare, duke përfshirë shpalosjet në formë të shënimeve shpjeguese dhe të përmirësojnë kontrollet e brendshme lidhur me raportin financiar”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

Sipas këtij raporti, Komuna nw rastin e tenderit pwr asfaltimin dhe zgjerimin e rrugës në fshatin Rakaj, në vlerë prej 279 mijë e 818 euro, kishte ekzekutuar pagesën prej 54 mijë e 120 eurosh për punët që sipas situacionit ishin të përfunduara, mirëpo punimet nuk ishin realizuar siç ishin përshkruar në situacion.

“Pozicionet e përshkruara në situacionin për pagesë në verë prej 6 mijë 224 euro nuk ishin kryer. Përkrahja dhe ndërtimi i infrastrukturës në zonën turistike në vlerë prej 15 mijë e 600 euro, ky projekt ishte paguar në tërësi, por që punimet nuk ishin realizuar siç ishin përshkruar në stacionin në bazë të të cilit është faturuar dhe paguar. Nga komuna nuk kemi marrë ndonjë sqarim konkret në lidhje me pranimin e punimeve të pa realizuara, prandaj kjo tregon se niveli i kontrolleve nuk është efektiv në evitimin e këtyre parregullsive”, thuhet mes tjerash në raport.

Kjo çështje gjatë së hënës ka nxitur reagimin e subjektit opozitar LDK.

Kryetari i LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi, në një konferencë për media, të hënën, ka thënë se komuna nga viti në vit po i përsërit të njëjtat gabime me pasqyrat financiare.

“Në raport është theksuar se janë bërë një sërë pagesash për punë që nuk janë përfunduar, në këtë rast kemi të bëj me një kontrata për asfaltim dhe zgjerim të rrugës në vlerë mbi 50 mijë eurosh. Një rast tjetër lidhet me ndërtimin e infrastrukturës në zonën turistike me një kontratë me mbi 15 mijë euro dhe një rast tjetër është evidentuar në vlerë prej 46 mijë euro për montim të pajisjeve në tre shkolla”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, drejtoritë e caktuara kanë dëmtuar buxhetin edhe në fusha të tjera. “Thesari ka bërë pagesa të vendimeve gjyqësore e përmbarimore duke ekzekutuar nga buxheti i komunës në vlerë prej mbi pesë milion eurosh, ku afër 600 mijë euro janë mjete të cilat kanë shkuar vetëm për tarifa përmbarimore apo për interes të cilat janë arkëtuar nga llogaritë komunale”, ka shtuar ai.

Me gjithë insistimin e KOHËS Komuna e Ferizajt nuk u është përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë çështje.