Arbëri

Komuna dhe shoqëria civile duan me çdo kusht qasjen e Vitisë në autostradë

Në shtator të vitit të kaluar ishte paraparë të fillojnë procedurat për lidhjen e Komunës së Vitisë me autostradën “Arbën Xhaferi”.

Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe tani kryeministri Ramush Haradinaj është deklaruar se duhet rishikuar edhe njëherë projekti për shkak të sigurisë në atë pjesë, raporton KTV.

Sipas Qeverisë, vonesat janë bërë, sepse kjo nuk ka qenë e paraparë në projektin bazë të autostradës dhe se kjo ndërhyrje ka komplikime.

Mirëpo, në Komunën e Vitisë thonë se janë të vendosur në kërkesën e tyre, pasi sipas kryetarit Sokol Haliti, kyçja në autostradë është e nevojshme për Anamoravën.

Haliti ka thënë se shpreson që kryeministri do ta ndryshojë qëndrimin dhe do t’u bëjë një zgjidhje siç u kishte premtuar.

E, nëse ky projekt nuk realizohet, qytetarët e shoqëria civile në këtë komunë, do të organizojnë protesta javën që vjen.

Për kyçjen e Vitisë në projektin e autostradës Prishtinë-Shkup, Qeveria kishte vendosur gjithashtu përmes një vendimi të veçantë.

Për këtë, ishte zotuar edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.