Arbëri

Kompensimi i paligjshëm i punëtorëve në Obiliq

Shumë punonjës të Komunës së Obiliqit gjatë vitit 2022 janë paguar për punë jashtë orarit në kundërshtim me Rregulloren për shtesat në pagë dhe kompensime të tjera të nëpunësve civilë. Edhe pse nuk ishin autorizuar paraprakisht nga mbikëqyrësit e drejtpërdrejtë, shuma totale që kanë përfituar këta punëtorë është afro 40 mijë euro

Komuna e Obiliqit i ka kompensuar 265 punonjës për punë jashtë orarit në kundërshtim me Rregulloren për shtesat në pagë dhe kompensime të tjera të nëpunësve civilë.

Shuma me të cilën janë kompensuar këta punëtorë gjatë vitit 2022 është afro 40 mijë euro.

Në kohën kur janë kompensuar punonjësit, në fuqi ishte Rregullorja e vitit 2012, sipas së cilës nëpunësit civilë kanë të drejtë të kompensohen nëse mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë paraprakisht ka autorizuar dhe vërtetuar punën jashtë orarit, e që në rastin konkret kjo ka munguar.

Sipas këtij dokumenti, kërkesa për këtë kompensim do të duhej të dërgohej për aprovim tek udhëheqësi më i lartë administrativ brenda pesë ditëve të punës, pas datës në të cilën janë plotësuar orët e punës jashtë orarit. Kurse, zyrtarët komunalë këtë e kanë bërë me tre muaj vonesë.

“Gjatë vitit 2022, 265 punonjës ishin kompensuar për punë jashtë orarit në vlerë 39,565€. Këta punonjës nuk ishin autorizuar paraprakisht nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë. Për më tepër kërkesa për kompensim për punë jashtë orarit ishte bërë deri në tre muaj vonesë. Shkak i kësaj është mungesa e kontrolleve të brendshme dhe se ishte konsideruar si e mjaftueshëm aprovimi i punëve shtesë në fund”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Bazuar në këtë dokument, mungesa e autorizimeve paraprake nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë dhe kërkesat për kompensim për punë jashtë orarit me vonesë rrit rrezikun që punonjësit të mos realizojnë punët brenda orarit të paraparë në kontratë dhe krijimin e shpenzimeve pa bazë ligjore.

KOHA u ka adresuar pyetje zyrtarëve komunalë lidhur me këto shtesa, por nuk ka marrë përgjigje.

Në raportin e ZKA-së thuhet se menaxhmenti i Komunës është pajtuar me vërejtjen që e ka dhënë Auditori.

Ndërkohë, opozita në këtë komunë e ka vlerësuar keqpërdorim të financave publike marrjen e shtesave pa u përfillur procedurat.

“Kjo gjetje që ka të bëjë me 265 persona që janë kompensua pa procedura, aq më tepër pa planifikim paraprak dhe as pa autorizim të punëdhënësit nënkupton që është keqpërdorim dhe mbi të gjitha qëllimi kryesor del të jetë se është mirëmbajtja e besimit të zyrtarëve publikë për shkak se edhe në ditët që tash po flasim, edhe pas këtij raporti kam informata të theksuara se në shumë prej drejtorive në Komunën e Obiliqit po përdoren metoda të njëjta edhe po vazhdojnë të kompensohen zyrtarë të caktuar pa pasur nevojë dhe pa punuar jashtë orarit të punës”, ka thënë Sami Ahmeti, shef i kuvendarëve të Vetëvendosjes në Obiliq. “Në një shoqëri normale nëse do të kishim gjykata si duhet, vetë fakti që zyrtarët komunalë e kanë vërtetuar dhe janë pajtuar me gjetjet e Auditorit, këta njerëz do të përfundonin në Prokurori, për faktin se keqpërdorimi i financave publike është krim”.