Arbëri

Kompanitë e taksive ankohen se pandemia po vazhdon t’iu shkaktojë telashe

Kompanitë e taksive të cilët operojnë në Gjilan, Viti e Kamenicë deklarojnë se qytetarët nuk po i shfrytëzojnë shërbimet e transportit siç i kishin shfrytëzuar në të kaluarën, ndërkaq theksojnë se një nga arsyet është edhe situata ekonomike e krijuar nga pandemia.

Kompanitë e taksive por edhe ata individual deklarojnë se puna e tyre në këtë periudhë të epidemisë është dëshpëruese ngase kanë rënie të ndjeshme të të hyrave financiare.

E shpresën thonë se e kanë te diaspora, nëse ata vendosin që pushimet t’i kalojnë në Kosovë.

Pronari i një kompanie taksie në Gjilan, Afrim Jonuzi deklaron se rënia e të hyrave financiare ka bërë që shumë punëtorë të mos paraqiten në punë. Ai thotë se edhe ndihma e Qeverisë në këtë periudhë të pandemisë nuk ka qenë efektive.

“Qytetarët po hezitojnë të dalin në qytet, sepse në momentin që dalin atëherë shfrytëzojnë edhe shërbimet tona. Mirëpo nuk ka qarkullim të madh dhe ka rënie të madhe të hyrave financiare jo vetëm në kompaninë tonë mirëpo në të gjitha kompanitë e taksive. Sa i përket ndihmës së Qeverisë kemi aplikuar për subvencionim të qirasë mirëpo ende nuk kemi diçka konkrete. Sa i përket pagave një pjesë e kanë dhënë kurse pjesën tjetër jo. Po kemi probleme edhe me punëtorë të cilët nuk po shohin profit në këtë punë dhe mandej nuk po paraqiten, por mundohen të gjejnë punë diku tjetër” ka thënë ai.

Ai thotë që është e nevojshme që ekonomia të hapet gradualisht ose në të kundërtën do të ketë shumë probleme tjera ekonomike të cilat do të lindin.

“Tash jemi duke pritur sezonin e verës dhe në rast se vazhdon kështu mos me u mbajt dasmat dhe nëse nuk vjen mërgata atëherë nuk e di se qysh do të përfundojnë deri në fund të vitit” shprehet ai.

Kurse pronar i një kompanie taksie në komunën e Kamenicës, Besnik Shabani deklaron se problemet e tyre janë të njëjta sikurse në Gjilan.

“Ka rënie të hyrave sepse njerëzit nuk lëvizin ndoshta edhe frika se mundet prapë të paraqitet virusi. Po shpresojmë se verës ndoshta hapet diçka sepse edhe në atë kohë vjen edhe mërgata. Tash ne operojmë në një komunë më të vogël dhe të hyrat i kemi më të vogla. Po shpresojmë se diçka do të lëviz dhe do të tejkalojmë këtë gjendje” ka thënë ai.

Kurse taksi individual në komunën e Vitisë, Gazmend Ferizi deklaron se përkundër që janë hequr masat e kufizimit për qarkullim kjo nuk ka ndikuar që kategoria e taksive të operojë suksesshëm. Ai thotë se qytetarët janë goditur nga bllokimi i ekonomisë për muaj të tërë dhe se tani po mundohen që të kursejnë.

Ai thotë se zyrtaret e shtetit duhet të dalin në terren dhe të prekin realitetin në të cilën janë duke jetuar qytetarët në këtë periudhë të epidemisë. Ndërkaq ka kërkuar nga Qeveria mbështetje financiare për kategoritë shoqërore të cilat janë goditur dhe po rrëshqasin në varfëri.

“Po nuk lëvizin me taksi sepse nuk kanë para, dhe për këtë hezitojnë edhe me dal. Shoh qytetar të cilët udhëtojnë me kilometra në këmbë kurse në të kaluarën ata kanë përdorur shërbimet tona. Epidemia na ka lodhur. Duhet qeveritarët të dalin në terren dhe të takohen me ne dhe të dëgjojnë hallet tona në këtë kohë” shprehet Ferizi.

Ndryshe në komunën e Gjilanit sipas të dhënave zyrtare operojnë 282 taksi të licencuar. Në komunën e Vitisë operojnë mbi 100 taksi të licencuar. Kurse në komunën e Kamenicës operojnë 100 taksi.