Për tri ditë radhazi, mbi 30 kompani kanë prezantuar produktet e tyre ndërtimore me zbritje promovuese për qytetarët në kuadër të panairit “Marketi i ndërtimit”. Udhëheqësit e tyre thanë se janë munduar të mos e rrisin çmimin me gjithë rritjen e kostos, e organizatorët u shprehën të kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve
Projekte të mëdha ndërtimore janë paraqitur para vizitorëve për tri ditë radhazi në kuadër të “Marketit të ndërtimit” në kryeqytet. Mbi 30 kompani kanë prezantuar produktet e tyre me zbritje për qytetarët, që ishte kusht për pjesëmarrjen e tyre në këtë “Market”.
Pjesë e panairit ishte edhe një kompani patundshmërie nga Shqipëria, që paraqiti ofertat për shitjen e banesave të një projekti luksoz pranë bregdetit në Sarandë.
“Ne jemi interesuar që të jemi pjesë e panairit pasi që ka pasur shumë të interesuar, erdhëm këtu dhe bëmë një prezantim dhe kishte vizitorë nga shumë qytete jo vetëm nga Prishtina dhe kishte një interesim dhe arritje edhe për ne që erdhëm në afër klientëve tanë”, ka thënë Erald Hysa nga IR Real Estate & Managment.
Gjatë prezantimit të projektet para qytetarëve, udhëheqësit e kompanive thanë se janë munduar që të mos i rrisin çmimet me gjithë rritjen e kostos së ndërtimit.
Po ashtu, ata thanë se panairi u shërbeu për të ndërtuar ura bashkëpunimi.
Njëri nga organizatorët e “Marketit të ndërtimit”, Halim Hoti, pret që ky panair të bëhet tradicional.
“Interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm për shkak se qytetarët presin që të blejnë banesa apo shtëpi me çmime më të lira dhe ky ka qenë kushti për cdo kompani që për të marrë pjesë duhet të ofrojnë çmime më të lira nga ofertat që i kanë pasur. Konsiderohet si një llojë black Friday në sektorin e ndërtimit”, ka thënë Hoti.
“Marketi i ndërtimit” është organizuar nga ekipi A Managment dhe synim pati shitblerjen e banesave, shtëpive dhe produkteve të ndërtimit me zbritje promovuese.