Arbëri

Kompania që fitoi tenderin milionësh në Prishtinë, e përfshirë në disa raste falsifikimi

Komuna e Prishtines

Kompania D&T që është përzgjedhur si kompani fituese në tenderin rreth 1.5 milionë euro në komunën e Prishtinës ka histori të pasur për dyshime për falsifikim. Drejtori i kësaj kompanie është i akuzuar për mashtrim në prokurim publik e falsifikim. Ministria e Shëndetësisë muajin e kaluar ka bëre kërkesë që të futet në listë të zezë për shkak se në konsercium me një kompani tjetër kanë konstatuar se ka falsifikuar në tenderin për blerjen e autoambulancave.

Tenderi me peshë 1.5 milion euro për pajisje për pastrim që është hapur nga Komuna e Prishtinës ka dyshime për keqpërdorim.

Kompania që Komuna e Prishtinës e ka zgjedhur si përfituese është kompania D&T. Përveç në Komunën e Prishtinës, kjo dyshohet për falsifikim edhe në institucione të tjera.

Në faqen e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve kjo kompani del që ka person të autorizuar për biznese Bledar Kusarin. Ky vite më parë ishte liruar nga një aktakuzë për shkak të parashkrimit e vdekjes juridike të një rasti.

Por në tetor të këtij viti, ndaj të njëjtit ka filluar një proces ligjor. Ai akuzohet për falsifikim e mashtrim në prokurim publik në lidhje me kompaninë ‘’D&T”

“I akuzuari Bledar Kusari ka shkelur Ligjin për Prokurimin Publik, ashtu që gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik ka paraqitur dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit të autoritetit kontraktues, me çka ka kryer veprën penale: Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik nga neni 415 par.1 të KPRK-së. Në dispozitivin e tretë të kësaj akuze, i akuzuari Bledar Kusari përpilon dokumentin e falsifikuar në emër të biznesit ‘’Florida’’ SH.P.K, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal për biznesin e tij ‘’D&T Group’’ SH.P.K, me qëllim të kompletimit të dokumentacionit për tenderim, me çka ka kryer veprën penale: Falsifikim i dokumentit nga neni 390 par.1 të KPRK-së”, thuhet në aktakuzë.

Por dyshime për falsifikim për kompaninë e njëjtë ka edhe në institucione të tjera.

Në fundin e muajit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë ka konstatuar që e njëjta kompani në konsercium edhe me një kompani tjetër ka falsifikuar dokumentet për tenderin e blerjes së autoambulancave.

Kjo vërtetohet nga një shkresë e këtij institucioni dorëzuar në OSHP, e nga ku kërkohet që kjo kompani të futët në listën e zezë.

Ky institucion në shkresën e siguruar nga KOHA thotë që kanë konfirmuar me prodhuesin së katalogët e ofruara nga D&T janë të falsifikuara.

“MSH ka pyetur kompaninë: A mund të na konfirmoni që ky katalog është një material autentik nga kompania juaj? Ata janë përgjigjur: Ne nuk qëndrojmë pas këtij katalogu. Nuk është katalogu jonë dhe nuk është katalogu zyrtar i Peugeot”, thuhet në shkresë.

Ndonëse në konsercium bën pjesë edhe një kompani tjetër, në dokumente thuhet që D&T është lidere e konserciumit.

KOHA ka siguruar një shkresë të kompanisë tjetër drejtuat Ministrisë së Shëndetësisë, përmes të cilës janë distancuar nga partneri D&T, duke thënë që dokumentet ua kanë dorëzuar origjinal dhe nuk janë në dijeni e as kanë lidhje me modifikimet e bëra nga kompania tjetër.

Kompania D&T nuk është përgjigjur për dyshimet tek institucionet e tjetra. Por kanë folur vetëm për tenderin në Komunën e Prishtinës dhe kanë akuzuar për fushatë kundër kësaj kompanie.

“Kompania jonë është në vazhdimësi në konsultim me ekspertë të fushës juridike dhe ka mbledhur gjitha provat për personat te cilët konsiderojmë se mund të jenë të involvuar ne ketë rast si dhe lidhjen e tyre me personat e caktuar për interesa të tyre materiale, prandaj lidhur me këtë kompania jonë do të ushtrojë të drejtën e saj ligjore për të iniciuar procedurën penale ndaj personave të caktuar të cilët me veprimet e tyre kundërligjore përveç që mundohen të na shkaktojnë neve dëme kanë bërë edhe shkelje të dispozitave të Kodit Penal”, ka deklaruar kompania.

KOHA ka raportuar disa herë për dyshimet për shkelje në këtë tender.