Arbëri

Kompania private ua paguan qëndrimin në Slloveni kryeshefit dhe kryesueses së KRU “Prishtina”

Një kompani private nga Kosova ka paguar shpenzimet e hotelit për kryeshefin e KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, dhe kryesuesen e Bordit, Teuta Ukshini-Aliu, gjatë një vizite në kompaninë “Komunalna Kranj” në Slloveni. Shoqërimi gjatë vizitës dhe pagesa janë ngritur si shqetësim nga kryesuesja e Bordit, e cila ka thënë se nuk kishte qenë në dijeni për këtë, e më pas kishte ngritur dyshimet për konflikt interesi. E kryeshefit të KRU “Prishtina” iu dha vërejtje nga Bordi

Udhëtimi në Slloveni për shkëmbim të përvojave për realizimin e projektit për matës të mençur të ujit që ndikojnë në zvogëlimin e humbjeve i ka kushtuar kryeshefit të KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, me vërejtje nga Bordi i kompanisë. Shkak për këtë u bënë dyshimet për konflikt interesi, pasi një kompani private nga Kosova “Enerco” kishte mbuluar shpenzimet e hotelit për të dhe kryesuesen e Bordit, Teuta Ukshini-Aliu.

Kjo kompani kishte fituar në të kaluarën tender në “Termokos” gjatë kohës sa Arsim Fetahu ishte kryeshef atje. E njëjta është fituese e një projekti tjetër që është duke u zhvilluar në “Termokos”, i cili ka filluar gjatë kohës sa Fetahu ishte kryeshef, por që ishte realizuar përmes MCC-së.

E shoqërimin nga kompania private gjatë udhëtimit, por edhe pagesën e qëndrimit në hotel të kryeshefit dhe kryesueses së KRU “Prishtina” i kishte ngritur si shqetësim vetë kryesuesja Teuta Ushkini-Aliu.

Ajo në një mbledhje të Bordit të KRU “Prishtina” kishte ngritur dyshime për konflikt interesi dhe ishte deklaruar se nuk ka qenë në dijeni se një kompani private do të ishte pjesë e udhëtimit në Slloveni.

Ukshini-Aliu kishte treguar se bashkë me kryeshefin e KRU “Prishtina” kishin udhëtuar për në Slloveni me ftesë të kompanisë “Komunalna Kranj” për të parë nga afër realizimin e një projekti për matës të mençur të ujit “Smart water meters” që kjo kompani kishte realizuar gjatë vitit 2022 me një kompani private “Iskra”.

Një projekt të tillë e ka në plan të punës ta realizojë edhe KRU ”Prishtina”.

“Për mua ishte një mënyrë e konfliktit të interesit një mënyrë që dy zyrtarë të lartë nuk ishte dashur me toleru dhe nuk ishte dashur një kompani private neve të na i paguajë shpenzimet e hotelit ose të qëndrimit, për vetë faktin që mendoj se është konflikt direkt i interesit dhe nuk guxon të ndodhë”, kishte thënë ajo në mbledhjen e Bordit më 12 maj.

E kryeshefi Arsim Fetahu ka thënë se kur e kishte marrë ftesën nga kryeshefi i “Komunalna Kranj” u ishte thënë se do t’i mbulojnë ata shpenzimet. Ai ka mohuar të ketë konflikt interesi, pasi, sipas tij, kjo kompani nuk ka fituar ndonjë tender në KRU “Prishtina”.

“Ata janë kompani që merren me pjesën e matësve digjitalë dhe këtyre proceseve dhe janë duke instaluar edhe në ‘Termokos’ ku kam punuar më herët. Ata kanë dashtë me mësu për vete se çfarë mund të shohin pozitive në këtë rast. E kuptoj që ndërlidhja mund të jetë e gabuar dhe e pranoj dënimin cilido qoftë, dua të theksoj edhe një herë që nuk ka qenë asgjë e qëllimtë dhe në këtë rast i kërkoj falje kryesueses që e kam vënë në pozitë të palakmueshme”, kishte deklaruar ai në po atë mbledhje të Bordit.

Shqetësim kishin ngritur edhe anëtarët e tjerë të Bordit. Anëtarja e Bordit, Saxhide Mustafa e ka konsideruar si skandal mbulimin e shpenzimeve nga një kompani private.

“Unë e konsideroj që është një skandal i madh, sepse nëse kjo del në opinion që një kompani i mbulon shpenzimet e kryeshefit dhe kryesuese është një skandal shumë i madh të cilin nuk kisha pasë qejf aspak me përjetua, sepse në këtu që nga dita e parë jam zotuar për transparencë të madhe, përgjegjësi dhe llogaridhënie”, ka thënë ajo.

Në këtë mbledhje ishte kërkuar një mendim nga Agjencia për Parandalimin e Konfliktit të Interesit lidhur me këtë rast, e që nga ajo ishte thënë se nuk ka diçka të tillë, pasi që kompania nuk ka fituar tender në KRU Prishtina” e as nuk është në proces të tenderimit.

Por, në mbledhjen tjetër të jashtëzakonshme të Bordit, ishte ngritur shqetësimi çka nëse kjo kompani në të ardhmen aplikon për ndonjë tender në KRU “Prishtina”, si mund t’ia ndalojnë që ajo të marrë pjesë.

Kryesuesja madje kishte hedhur dyshime për përgatitjen e shitjes së njehsorëve smart tek kompania jonë.

“Gjatë prezantimit që kam pasur edhe në ISKRA, ku ata tentonin të prezantonin smart meters, unë fillova të aludoja që është një përgatitje për shitje të njehsorëve smart tek kompania jonë, edhe pse në aspektin e menaxhimit do të mund të ishte vizion i Bordit në të ardhmen për implementim të smart meters, nuk më dukej korrekte dhe në rregull nga ana e procedurave që mu tentu në këtë formë të bëhet një gjë e tillë”, ka thënë ajo.

Anëtari i Bordi, Fadil Berisha, ka thënë se kjo indirekt paraqet konflikt interesi.

“Është plotësuar dhe vërtetuar pjesëmarrja e kësaj kompanie private, është vërtetuar edhe pagesa që absolutisht është e papranueshme, sepse kjo indirekt paraqet konflikt të interesit dhe në asnjë mënyrë nuk është dashtë të pranohet as nga kryeshefi ekzekutiv dhe as nga kryesuesja, por u informuam që kryesuesja nuk ka qenë në dijeni për këtë pagesë”, ka thënë ai.

Kryeshefi i “KRU Prishtina”, Arsim Fetahu, ka mohuar për KOHËN se ka qenë në dijeni që kompania private do të jetë në këtë vizitë me ta.

“Paraprakisht para udhëtimit jemi dakorduar që shpenzimet e udhëtimit të mbulohen nga KRU ‘Prishtina’, kurse shpenzimet e akomodimit nga organizatori/ftuesi – ujësjellësi ‘Komunala Kranj’”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vetëm pas kthimit e ka kuptuar që pagesa është bërë nga kompania nga Kosova.

“Pas kthimit nga udhëtimi zyrtar kemi kërkuar sqarim nga organizatori dhe kemi pranuar një email kërkim-falje pasi që pagesa nuk është bërë në koordinim me organizatorin dhe ne jemi vënë në pozitë jo të volitshme”, ka thënë ai.

Fetahu ka mohuar të ketë qenë në dijeni edhe për pjesëmarrjen e kompanisë në vizitën në Slloveni.

“Për kompaninë në fjalë kam dëgjuar por nuk kam qenë në dijeni se do të jenë pjesë e vizitës pasi që nga organizatori kemi kuptuar se ata janë ftuar nga kompania sllovene ‘Iskra’ që ka qenë pjesë e takimit, e cila paska bashkëpunim me kompaninë kosovare”, ka thënë ai.

Sa u përket tenderëve që kompania ka fituar në “Termokos” gjatë kohës sa ai ka qenë kryeshef, ka thënë se ato janë bërë nga prokurimi dhe nuk i ka nënshkruar ai.

E kryesuesja e Bordit, Teuta Ukshini – Aliu, ka thënë se iu qëndron mbrapa të gjitha fjalëve që i ka thënë në dy takimet e Bordit që është diskutuar për këtë çështje.

KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga kompania “Komunalna Kranj” rreth kësaj vizite, por nuk ka marrë përgjigje nga asnjëra prej tyre.

E nga kompania kosovare kanë thënë se kanë qenë të ftuar nga “Komunalna Kranj”.

“Ne kemi qene të ftuar nga ‘Komunalna Kranj’. Kjo vizitë ka qenë një mundësi e çmuar për të ndarë përvojën dhe praktikat e suksesshme të ‘Komunalna Kranj’ dhe kompanisë sllovene ‘Iskraemeco’ në lidhje me zvogëlimin e humbjeve të ujit përmes zgjidhjeve teknike, veçanërisht përmes identifikimit të humbjeve në rrjet me ndihmën e programeve (softwareve) të specializuar”, thuhet në përgjigjen e pronarit të kompanisë, Rinor Klaiqi.

Sipas saj, rezervimi i hotelit është bërë përmes faqes së internetit booking.com.

“Rezervimi i hotelit është bërë përmes faqes së internetit booking.com, nga karta ime krediti e regjistruar në emrin tim personal. Mjetet janë tërhequr automatikisht dhe nuk kemi pasur mundësi ta rregullojmë më pas. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë asnjë pagesë nga kompania ‘Enerco’ dhe mund të ofroj edhe dëshminë për këtë nëse është e nevojshme”, ka thënë ai.

Por nga KRU-ja thonë se pagesa është bërë nga kjo kompani.

Ndërkohë në pyetjen se a kanë aplikuar ndonjëherë në tender të KRU “Prishtina”, ai e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se janë të specializuar në sektorin e energjisë.

“Kompania ‘Enerco’ është një kompani e specializuar në sektorin e energjisë dhe ka një përvojë të pasur dhe të suksesshme në ofrimin e zgjidhjeve të qëndrueshme në këtë sektor dhe në historinë tonë të aktivitetit të tenderimit në Kosovë dhe posaçërisht në KUR ‘Prishtina’, nuk kemi marrë pjesë asnjëherë. Arsyeja për këtë mungesë të pjesëmarrjes është se kompania jonë është e specializuar në ofrimin e zgjidhjeve të energjisë, e jo në sektorin e ujit”, ka theksuar ai.