Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” në Lipjan gjatë muajve të fundit ka nisur të mbledhë borxhin përmes përmbaruesit. Sipas kompanisë, borxhi i akumuluar është gati 1 milionë euro. E kjo ka nxitur reagimin e qytetarëve, që thonë se nuk po njoftohen paraprakisht
Muhamet Syla nga Lipjani është njëri mes rreth 300 qytetarëve, që gjatë dy muajve të fundit kanë përfunduar te përmbaruesi privat. Kompania për menaxhimin e mbeturinave “Pastrimi” i ka futur atë dhe shumë të tjerë në listën e konsumatorëve jo të rregullt në pagesa.
Ai ankohet se tash e një vit nuk i ka ardhur asnjë faturë në shtëpi dhe se ka përfunduar te përmbaruesi pa paralajmërim për 40 euro borxh.
“Kurrë inkasant nuk ka ardhur të na sjellë faturën për të treguar sa kam borxh për mbeturina, asnjëherë, kurrë nuk ka qenë, jo vetëm te unë po kam dëshmi se as në lagjen time e as në fshatin tim nuk i ka ardhur edhe shkova këtu më thanë se duhet ta paguaj. I thashë ani po e paguaj vetëm borxhin, por më thanë se duhet ta paguash krejt, këtu faktikisht më lindi dyshimi me plot përgjegjësi e themi, se këtu është hajni e pastër”, ka deklaruar Syla.
Për këtë nismë të kompanisë “Pastrimi” ka reaguar edhe subjekti opozitar në Lipjan, Vetëvendosje. Nga kjo parti kanë kërkuar që të kursehen rastet sociale.
Xhelal Krasniqi, drejtor në kompaninë “Pastrimi” në Lipjan, tha se vendimin për procedura përmbarimore e ka marrë menaxhmenti i nivelit qendror. Sipas tij, borxhi i qytetarëve të Lipjanit është mbi 900 mijë euro.
“Kompania ka vendosur më në fund të marrë masa ligjore për grumbullimin e obligimeve të kompanisë nga qytetarët e papërgjegjshëm. Forma e vetme është që të shkojmë përmes përmbaruesit dhe kjo është duke u realizuar me qëllim siç dihet se kompania të hyrat i krijon nga ana e vetëfinancimit dhe qëndrueshmërinë e ka nga të hyrat vetjake”, ka thënë Krasniqi.
Sipas Krasniqit, çdo konsumator që nuk paguan në gjashtë muajt e fundit do të dërgohet te përmbaruesi. Po ashtu, ai ka ftuar familjet në asistencë sociale që të lajmërohen në zyra të kompanisë, nëse përballen me përmbaruesin.