Me mund të madh ishte gjetur një kompani që do t’i auditonte financat e partive politike për vitin 2017 dhe dy palë zgjedhjet e atij viti.
Kompania “Audit&Conto”, së fundmi, ka përfunduar punë me to dhe gjetjet janë diskutuar edhe në mbledhjet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, e shpejt pritet të publikohen.
Kompania në fjalë, për drejtor ka Ymer Shatrin, e në bazë të deklarimeve të pasurisë, aty punon edhe vajza e tij, Besa Shatri – Berisha, njëherësh gruaja e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha.
Kjo, në fakt, është edhe puna e katërt e saj, duke përfshirë atë në Telekom, ku është drejtoreshë e Bordit, atë si menaxhere e Kontabilitetit në KEK, dhe atë në organizatën joqeveritare KRCT.
KTV-ja ka kontaktuar me përfaqësues të kompanisë Audit&Conto, që i kanë thënë se Shatri-Berisha, nuk është duke u angazhuar fare në vitin 2019 në kompani.
Derisa Shatri-Berisha e ka pranuar se bën kontrollin e cilësisë të raporteve, por që nuk ka qenë e angazhuar me raportet e partive politike.
“Është ekipi i auditorëve që zgjidhet, të cilët janë komplet të pavarur, e që zgjidhet me short. Unë s’kam qenë pjesë e ekipit të auditimit asnjëherë, për shkak të konfliktit të interesit që mundem me e pasë, por edhe për shkak të angazhimeve tjera”, tha Besa Shatri – Berisha
Pavarësisht kësaj, nga pjesëtarë të shoqërisë civile, një situatë e tillë, konsiderohet në parim si konflikt interesi.
Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i organizatës jo-qeveritare “Çohu”, madje, thotë se një situatë e tillë vë në dyshim edhe kredibilitetin e raporteve.
Në anën tjetër, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Driton Selmanaj, pranon se nuk kanë qenë në njohuri për këtë situatë, por, pavarësisht kësaj, raportin e kompanisë së përzgjedhur e konsideron objektiv.
Në bazë të një raporti përmbledhës të auditorit për këtë proces, janë evidentuar një varg shkeljesh, duke filluar me raportimin e koalicioneve, që financat i kanë deklaruar individualisht.
prej gjetjeve që theksohet është se, në raste të caktuara, subjekte politike kanë pranuar donacione në vlerë mbi 1,000 euro nga i njëjti person dhe atë brenda një dite, praktikë kjo në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave.