Është përmbyllur përfundimisht drama rreth tenderit për insulina. 19 qershori ishte dita e fundit kur kompania “Pharma Leader” ka mundur të paraqiste ankesë kundër vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e tenderit. Pas denoncimit të bërë javën e shkuar dhe akuzave për falsifikim, kompania nuk e ka vazhduar betejën me Ministrinë e Shëndetësisë
Tenderi për furnizim me insulina, i iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë që më shumë së dy vjet e gjysmë më parë është anuluar përfundimisht, pasi kompania nuk ka bërë ankesë kundër këtij vendimi të Ministrisë së Shëndetësisë.
Kjo ministri e ka anuluar tenderin rreth dy javë më parë, pasi e ka kualifikuar kompaninë “Pharma Leader” si të papërgjegjshme, pasi që nuk e posedonte dokumentin e Autorizim Marketingut, që e vërteton cilësinë dhe sigurinë e barnave.
Por gjatë gjithë procesit të ndërlidhur me tenderin, Organi Shqyrtues i Prokurimit, në disa vendime, ka vlerësuar se kompania i përmbush kriteret për tender.
Kompania kishte të drejtë ankese në OSHP. Afatin e fundit për këtë e pati deri të hënën, porse nuk ka paraqitur kërkesë për anulim të vendimit të Ministrisë.
Mosanmikimi i vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e tenderit nënkupton që tenderi i insulinave përfundimisht do të anulohet.
E kjo përpjekje e Ministrisë së Shëndetësisë është e kamotshme që rreth 2 vjet, por që Organi Shqyrtues i Prokurimit çdoherë i kishte dalë në krahë kompanisë farmaceutike që sot MSH pretendon që është falsifikatore.
Mungesën e ankesës për vendimin e anulimit e konfirmoi sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi.
“Dje ka qenë dita e fundit dhe nuk ka pasë ndonjë ankesë nga operatorët ekonomikë, hisedarë të këtij procesi. Prandaj divizioni i prokurimit, në përputhje me mandatin, ka marrë vendimet e duhura për anulimin e këtij aktiviteti”, tha Bardiqi.
Javën e kaluar, Ministria e Shëndetësisë e denoncoi publikisht, por edhe në hetuesi kompaninë “Pharma Leader” për dorëzim të dokumenteve të falsifikuara për tender.
Bardiq ka thënë se nuk është në dijeni nëse ekziston ndonjë ndërlidhje midis denoncimit dhe tërheqjes së kompanisë nga ankesa.
“A ndërlidhet me faktin që operatori ekonomik nuk ka parashtruar ankesë për këtë aktivitet, ndoshta edhe mund të jetë ky fakt”, tha Bardiqi.
Ai paralajmëroi se ministria do të bëjë kërkesë që kompania të përfshihet në listë të zezë. KOHA i ka adresuar pyetje kompanisë, si në ditën e denoncimit të saj nga Ministria e Shëndetësisë, por edhe të martën rreth tërheqjes nga tenderi, porse nuk ka pranuar përgjigje.