Arbëri

Komisioni për Legjislacion mirëpret propozimet rreth Projektkodit të Procedurës Penale

Komisioni për Legjislacion, gjatë një debati publik rreth Projektkodit të Procedurës Penale dhe Projektligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, ka mirëpritur propozimet e dorëzuara nga institucionet e drejtësisë e të shoqërisë civile.

Gjatë debatit, kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas kritikave të shoqërisë civile rreth Projektkodit të Procedurës Penale, kanë formuar grup punues për shqyrtimin e vërejtjeve, raporton Koha Ditore.

Ka thënë se vërejtjet dhe sugjerimet janë marrë parasysh.

Ndërkohë, zyrtarë nga gjykatat, prokuroria e Oda e Avokatëve të Kosovës janë shtjelluar edhe njëherë shqetësimet e tyre në lidhje me projektkodin. Të njëjtat, ia kanë përcjellë komisionit për shqyrtim, me shkrim.

Sipas tyre, në disa nene ky projektkod bie ndesh me Kushtetutën.

Pas shterjes së debatit, kryetarja e komisionit, Haxhiu, ka kërkuar që deri të mërkuren e ardhshme, kushdo që ka vërejtje dhe sugjerime, t`ua përcjellin me shkrim.

Projektkodi i Procedurës Penale dhe Projektligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale janë duke u shqyrtuar në rrethin e dytë, para hyrjes në fuqi.