Arbëri

Komisioni për Ekonomi rekomandon shkarkimin e Bordit të KPMM-së

Me 6 vota për, Komisioni për Ekonomi i ka rekomanduar seancës së Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, pas problemeve lidhur me faljen e borxhit prej 9 milionësh për ndërmarrjen Ferronikel.

Për kanë votuar deputetët e pushtetit, ndërsa në votim nuk kanë marrë pjesë kryetari i Komisionit, Ferat Shala dhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Shala ka kërkuar nga anëtarët e Komisionit që të tërheqin kërkesën për shkarkim të Bordit.

“Unë jam që me tërheq kërkesën për shkarkim, moralisht e kanë obligim mazhoranca me tërheq kërkesën për shkarkim. Nuk interferoj në procesin gjyqësor për Feronikelin”, ka thënë ai.

Mbledhja e Komisionit është përcjellë me përplasje të shumta si në mes të anëtarëve të Komisionit, por edhe me anëtarët e Bordit të KPMM-së, të cilët kanë kundërshtuar pretendimet e deputetit Armend Muja.

Një ditë para vendimit, një nga anëtarët e bordit ka dhënë dorëheqje.