Miratimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme bazuar në koston buxhetore të parashikuar më shumë se një vit më parë, deputetë të opozitës, pjesë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, e kanë kualifikuar si joreal dhe të vjetruar. Me këtë qëndrim janë pajtuar edhe anëtarët e Komisionit nga partia në pushtet dhe është rekomanduar që Ministria e Financave ta bëjë një vlerësim të ri të ndikimit të tij buxhetor
Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të mërkurën nuk është nxjerrë për votim në Komisionin për Buxhet dhe Financa, shkaku i vlerësimit nga viti 2021 i ndikimit buxhetor të bërë nga Ministria e Financave.
Miratimin e Projektligjit bazuar në koston buxhetore të parashikuar më shumë se një vit më parë, në opozitë e kanë kualifikuar si joreal dhe të vjetruar.
Armend Muja, kryetar i Komisionit, ka thënë se mbështetur në vlerësimin e ndikimit financiar, Projektligji përmban një kosto prej mbi 607 mijë eurosh.
“Departamenti i buxhetit në Ministrinë e Financave, në bazë të deklaratës së ndikimit buxhetor dhe financiar, ka vlerësuar se zbatimi i Projektligjit krijon kosto shtesë buxhetore për periudhën 2022-2023 në shumë prej 607.254 eurosh, si dhe një numër prej 30 pozitash të reja. Ndërkohë, amendamentet e propozuara nga Komisioni funksional nuki përmbajnë implikime buxhetore”, ka thënë Muja.
Deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti, ka theksuar se projeksionet e bëra buxhetore për vitet 2022 dhe 2023 dallojnë shumë, ndërkaq ka kërkuar që të bëhet një vlerësim i ri, veçmas për pagat në këtë byro.
“Nëse pozitat mbesin të njëjta, atëherë vetëm kostoja e pagave dhe e mallrave dhe e shërbimeve që lidhen me funksionalizimin e kësaj byroje janë rritur për 50 për qind, në mos edhe 100 për qind. Prandaj ky vlerësim që është bërë në leximin e parë nuk është valid”, ka deklaruar Hoti.
Deputetët nga partia më e madhe në pushtet e kanë mbështetur qëndrimin e anëtarëve opozitarë, duke rekomanduar që Ministria e Financave ta bëjë një rivlerësim të ndikimit që Projektligji do ta ketë në buxhet.
“Përgjegjësia jonë, si komision, është që ta vlerësojmë koston buxhetore të këtij viti dhe nëse ne nuk e kemi të saktë, atëherë nuk e di edhe çka votojmë. Pajtohem me zotin Hoti”, ka thënë Eman Rrahmani, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ishte nxjerrë në Kuvend në janarin e vitit të shkuar dhe brenda periudhës prej një viti ka arritur që të miratohet vetëm në parim.
Vonesa në miratim ka shkaktuar edhe dërgimi i tij në Komisionin e Venecias për një interpretim ligjor dhe për rekomandime.
Krahas Projektligjit për Byronë, në mbledhjen e së mërkurës të Komisionit është shqyrtuar edhe raporti mbi shpenzimet e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për tremujorin e fundit të vitit të 2022 dhe kërkesa për ndarje buxhetore në vlerë prej 2 milionë e 240 mijë eurosh për tremujorin e parë të këtij viti.
Duke e prezantuar raportin para anëtarëve të Komisionit, Besnik Boletini, kryetar i Bordit të RTK-së, ka thënë se gjatë kësaj periudhe janë realizuar mbi 41 mijë euro të hyra më shumë sesa që ishin parashikuar.
“Në këtë periudhë tremujore kemi paraparë të hyra prej 2 milionë e 515 mijë eurosh, kurse janë realizuar të hyra prej 2 milionë e 556 mijë eurosh. Pra, janë realizuar mbi 41 mijë e euro më shumë të hyra. Kjo për shkak të të hyrave nga marketingu, si dhe për shkak të transmetimit të Kampionatit Botëror në Futboll në RTK. Bilanci që në fund ka mbetur i pashpenzuar ka qenë 60 mijë euro, të cilat në këtë fillim vit veçse janë përdorur për t’i paguar tatimet për disa shpenzime. Kjo është pasqyrë përmbledhëse për tremujorin e katërt të vitit 2022”, ka theksuar ai.
Gjatë mbledhjes ka pasur polemika midis deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, dhe anëtarëve të Bordit të RTK-së mbi kryerjen e shërbimeve me kompensim, të cilat po vazhdojnë që të praktikohen në radiotelevizionin shtetëror ani se Bordi aktual e pati kundërshtuar.
“Kryetari i Bordit, në veçanti, ka qenë kritikuesi më i madh, duke hedhur akuza të ndryshme për kontratat që janë lidhur me kompensim”, ka theksuar Hoti.
Boletini ka arsyetuar se ekziston një ndryshim në mënyrën se si kryhet ky shërbim, tashmë i bazuar në Rregullore të RTK-së.
“Ne ia ofrojmë hapësirën kompanisë në fjalë, por jo që ajo ta shesë te palët e tjera. Ky është dallim esencial”, ka argumentuar Boletini.
Me gjithë polemikat, Komisioni ka miratuar të mërkurën dy çështjet e shqyrtuara sa i përket televizionit publik. E anëtarët e Komisionit e kanë ftuar në raportim për mbledhjen e ardhshme, të caktuar për të premten, ministrin e Financave, Hekuran Murati, lidhur me rritjen e tatimit në pronë.