Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka votuar për ratifikimin e dy marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Marrëveshja e parë ka të bëjë me sigurimet shoqërore, ndërkaq e dyta me lehtësimet doganore mes Kosovës dhe Shqipërisë që do të ndikojë me krijimin e një zyre doganore në Durrës.
Megjithatë, deputeti nga LDK, Avdullah Hoti, kishte paqartësi në disa nene të marrëveshjeve. Ai e ka kritikuar ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin që ka ardhur i papërgatitur para komisionit.
Edhe deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku ka theksuar se ka nevojë për më shumë sqarime.
Murati i cilësoi paqartësitë si çështje teknike, duke shtuar se grupi punues do t’i qartësojë të gjitha
Kryetari i komisionit, Armend Muja, ka kërkuar nga ministri Murati që grupeve parlamentare të iu dërgojë sqarime me shkrim para seancës parlamentare ku marrëveshjet me Shqipërinë do të hidhen në votim për ratifikim.
Gjatë mbledhjes është paraqitur Plani I Punës së Komisionit për vitin 2022. Por, deputetët kërkuan kohë që ta analizojnë, kështu në votim do të hidhet javën e ardhshme.
Në parim të gjitha grupet parlamentare ishin pro marrëveshjeve me Shqipërinë, por kërkuan sqarime – të cilat do të jepen me shkrim nga Ministria e Financave në afatin më të shkurtër të mundshëm.