Komisioni për Arsim u mblodh të martën për formimin e grupeve punuese për shqyrtimin e Projektligjit për Agjencinë e Kosovës të Akreditimit dhe Projektligjit për Arkivat Shtetërore, por në fund vendosi që të organizohen vetëm diskutime publike.
Anëtarja e këtij Komisioni nga PDK-ja, Eliza Hoxha, tha se Ligji për Akreditim duhet të kthehet nga fillimi, pasi sipas saj, ka mangësi në proces e përmbajtje.
“Diskutimet që janë bërë nga eksperti austriako-gjerman kanë qenë të mirëseardhura për ne, mirëpo edhe ai kishte paqartësi, ato rekomandime mund të ishin të përshtatshme për të mirëpo për kontekstin që ne operojmë nuk përshtaten”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, kritikoi krerët e MASHTI-t, Arbërie Nagavci dhe të Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrulla Çeku, për performancë të dobët.
“Performanca e ministres së Arsimit dhe të Kulturës ka qenë shumë e dobët. Është një gamë e projektligjeve që janë duke pritur të vijnë në Kuvend për t’u proceduar. Vërtetë në Projektligjin për Akreditim ka vërejtje shumë edhe për mënyrën e akreditimit të universiteteve. Grupet punuese mund të jenë efektive, mirëpo ne kemi shumë vërejtje për këto dy projektligje”, shtoi Dumoshi, raporton KOHA.
Ndërsa, kryetari i Komisionit, që vjen nga LVV-ja, Adrian Gola, tha se Komisioni mund të mbajë dëgjim publik me organizatat, shoqërinë civile dhe ekspertët.
“Kemi paraparë që të organizojmë tri dëgjime publike për Projektligjin për Akreditim. Një më rektorët, tjetri me media e me organizata, dhe një vetëm me studentë. Ne nuk jemi vetëm monitorues por edhe ligjvënës. Për shkak se ne jemi instanca finale, ne nuk kemi arsye ta kthejmë Ligjin mbrapa dhe duhet të punojmë intensivisht pasi jemi brenda mandatit. Ky Projekligj duhet të procesohet me urgjencë sa më të madhe”, deklaroi Gola, derisa Dumoshi propozoi që të thirren të gjithë rektorët, pa përjashtime.
Për Projekligjin për arkiva, Gola propozoi një konsulent që t’i ndihmojë në monitorimin e këtij projektligji.
“Po e përmend një emër si konsulent, profesori Jusuf Osmani. Puna e të cilit vlerësohet lartë edhe në Slloveni. Unë jam për me marr një ekspertë për të na ndihmuar për arkivat, se me të thënë të drejtën s’po ndihem komod pa një ekspertë", tha ai.