Arbëri

Komisioni miraton statutin e UP-së pa emërtimin “Hasan Prishtina”

Heqja e emrit “Hasan Prishtina” nga përdorimi i emërtimit të Universitetit të Prishtinës, nxiti polemika mes pushtetit e opozitës në Komisionin për Arsim. Nga pushteti u shprehën pro këtij ndryshimi, e atë e kundërshtoi PDK-ja. Rektori i UP-së, Qerim Qerimi, ka thënë se kjo rrezikon që trashëgimia e universitetit të bartet në universitetin paralel që funksionin në Mitrovicë të Veriut, e që njihet si “Universiteti i Prishtinës”

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport e ka votuar të martën Statutin e ri të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në mbledhje, të pranishëm ishin menaxhmenti i UP-së dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sipas së cilës, statuti i ri i universitetit më të madh publik, do të ndikojë në rritje të cilësisë. 

“Ky statut sjell një mori reformash që do të ndikojnë direkt në përmirësimin e cilësisë së punës në Universitetin e Prishtinës dhe besoj që pas kësaj jemi duke pritur që të fillojmë një proces të unifikimit të gjitha statuteve të universiteteve të tjera publike besojmë që kjo sjell përmirësim në cilësinë e punës  në arsimin e larte dhe një performancë të mirë”, ka thënë ajo.

Statuti i ri u UP-së u miratua me pesë vota pro dhe një abstenim nga kryesuesi i komisionit Ardian Gola.

Por neni i dytë i Statutit përçau edhe njëherë pozitën me pushtetin. Ky nen parasheh që emri që do të përdoret do të jetë vetëm “Universiteti i Prishtinës”, pa emrin e veprimtarit Hasan Prishtina.

“1. Universiteti ka emrin Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’. Ky emër i është vënë në vitin 2012; 2. Emri në përdorim i universitetit është ‘Universiteti i Prishtinës’”, shkruan në nenin 2 të Statutit të ri.

Kundër kësaj u shpreh Partia Demokratike e Kosovës. Përfaqësuesit e saj kërkuan nga institucionet që të ndryshojnë emërtimin e Universitet me bazë në Mitrovicë të Veriut, e që njihet si “Universiteti i Prishtinës”. Bëhet fjalë për universitetin paralel, që funksionon me sistemin arsimor të Serbisë.

“Ish dashtë që ai, Xhelal Sveçla në vend që t’i heqë tabelat në fshatra, të shkojë e të heqë tabelën e Universitetit të Prishtinës, të serbëve atje, që është ilegal në territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati. 

Për këtë pati polemika mes Kastratit dhe ministres Nagavci. “Legjislacioni për arsimin e lartë është legjislacion i cili e ka të domosdoshme votën e një deputeti serb për kalimin e atij ligjit. Dhe këtë legjislacion e gjetëm në mesin tuaj”, u shpreh  ministrja e Arsimit. 

E Kastrati insistoi në kërkesën e tij.

“Këto janë informata bazike, ndërroja emrin Universitetit në veri, oj zonja ministre”, ka shtuar ai. 

Emri i veprimtarit Hasan Prishtina u vendosë në emërtimin e universitetit në vitin 2012. 

Rektori i UP-së, Qerim Qerimi, ka thënë se kjo rrezikon që trashëgimia e universitetit të bartet në Universitetin paralel që funksionin në Mitrovicë të Veriut.

“Shpeshherë është interpretuar jashtë që sikur ne kemi themeluar një universitet të ri. Dhe ne nuk mund ta konceptojmë dhe duhet ta refuzojmë idenë që mosvlerësimi i një trashëgimie kolektive, absolutisht e pa matshme siç është çështja e Universiteti të Prishtinës”, ka thënë ai. 

Qerimi ka kontestuar ligjshmërinë e vendimit të viti 2012 për ndryshimin e emërtimit. 

“Ne kemi një ligj me të cilën është formuar Universiteti i Prishtinës, universiteti. Emri me të cilin me ligj është themeluar është Universiteti i Prishtinës. Në këtë drejtim është e diskutueshme nëse vendimi i vitit 2012 ka qenë i mbrojtshëm në kuptim ligjor”, ka thënë ai.

Për të kundërshtuar këtë, është zhvilluar edhe një tubim paqësor para Kuvendit nga fondacioni “Hasan Prishtina”.

Drejtori i fondacionit “Hasan Prishtina”, i cili është edhe stërnipi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, ka thënë se kjo nismë ka karakter politik.

“Emri i Hasan Prishtinës nga universiteti hiqet me kërkesa të pabaza. Mënyra se si ka ardhur kjo kërkesë nga rektorati përmes ministrisë deri në Kuvend është një forme ilegale me të cilën duhet të merret prokuroria. Rektori Qerim Qerimi për bindjen time ka filluar këtë qëllim mbrapsht dhe me porosi nga politika për benefite të tij personale”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i Parlamentit Studentor në UP, Florend Ramusa, po ashtu e ka kundërshtuar këtë nismë, duke thënë se i janë bashkuar këtij tubimi për t’u solidarizuar me fondacionin.

“Ne si studentë e kundërshtojmë këtë nismë të mbrapshtë që nga viti i kaluar kemi përdorur mekanizma të ndryshëm qoftë me protesta dhe peticione kemi mbledhur me mijëra nënshkrime dhe sot iu kemi bashkuar kësaj nisme”, ka shtuar Ramusa.

Statuti i ri parasheh edhe ndryshime në avancimin e personelit akademik. Me statutin e ri, profesorët obligohen të bëjnë më shumë punime shkencore. 

Për titullin e profesorit asistent, kandidati duhet të ketë numër të publikimeve të shqyrtuara në revista ndërkombëtare shkencore ose artistike me së paku dy punime të publikuara, si autor i parë ose korrespondent, ku së paku në njërën duhet të jetë autor i parë.

E për t’u avancuar me titullin profesor i asocuar, obligohet që të ketë të paktën një kapitull të zgjedhur të botuar nga shtëpi botuese kredibile ndërkombëtare ose një libër për përdorim të studentëve ose edhe monografi që nuk mund të jetë punim i doktoratës. Po ashtu, duhet të ketë të paktën tri punime të publikuara në revista ndërkombëtare shkencore ose artistike, si autor i parë ose korrespondent, nga të cilat së paku një si autor i parë.

Për t’u bërë profesor i rregullt i njësisë akademike, kandidati duhet të tregojë kompetencë akademike e përvojë shkencore për lëndët, duke e dëshmuar me të paktën një kapitull të zgjedhur të botuar në një tekst të publikuar nga shtëpi botuese kredibile ndërkombëtare pas thirrjes së fundit, ose një libër për përdorim të studentëve ose edhe monografi. Aty theksohet se libri nuk duhet të jetë punimi i doktoratës ose patentë, pas thirrjes së fundit.