Arbëri

Komisioni i Ankesave vlerëson se s’ka bazë ligjore për t’i gjobitur barnatoret pa farmacistë

Në dy raste të ndryshme, Inspektorati Shëndetësor ka gjobitur barnatoret që e kanë zhvilluar veprimtarinë pa praninë e farmacistit përgjegjës. Për këtë shkak, farmacistët janë gjobitur me nga 1 mijë euro. E, megjithëkëtë, në Komisionin e Ankesave thanë se nuk ekziston bazë ligjore për shqiptimin e gjobave të tilla

Me justifikimin se nuk ka bazë ligjore, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave ka vendosur precedent për të mos i dënuar për shkelje barnatoret që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa praninë e farmacistit përgjegjës, e veç me një teknik.

Neni 26 i Ligjit për Shëndetësi përcakton se barnat nëpër barnatore duhet të shiten vetëm me praninë e farmacistit.

Duke u thirrur në këtë ligj, Inspektorati Shëndetësor u shqiptoi gjoba dy farmacistëve që, bazuar në dokumentacion, janë përgjegjës për dy barnatore të ndryshme, por që gjatë kohës së inspektimit nuk kanë qenë të pranishëm në vendet e punës.

Njërin nga inspektimet, Inspektorati Shëndetësor e bëri në një barnatore në Komunën e Pejës.

Në vendimin e siguruar nga KOHA, që e mban datën e 29 shkurtit të sivjetmë e që u lëshua nga Komisioni i Ankesave, thuhet se në të këtilla situata nuk shqiptohen gjoba.

“Në asnjë bazë ligjore, Komisioni nuk ka mundur të konstatojë se farmacisti përgjegjës apo zëvendësues gjobitet për mosprezencë në barnatore. Mbi këtë bazë, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave konsideron se vendimi i ankimuar i Inspektoratit Shëndetësor është nxjerrë mbi aplikimin e gabuar të së drejtës materiale”, thuhet në vendimin e Komisionit të Ankesave.

Një vendim pothuajse identik është marrë edhe në muajin mars. Në këtë rast, objekt trajtimi ka qenë një ankesë kundër gjobës së shqiptuar në Komunën e Malishevës.

Edhe në këtë, argumentimi i Komisionit ishte se nuk mund të dënohen farmacistët përgjegjës, porse vetëm bizneset.

Ky argumentim është bërë duke u thirrur në Ligjin për Shëndetësi.

“Me gjobë në shumë prej një mijë (1,000) e deri në njëzet mijë (20,000) euro dënohet për kundërvajtje institucioni shëndetësor nëse, në pajtim me nenin 4 të ligjit, personave: dhënia e barërave pa prezencën e farmacistit të licencuar të përcaktuar sipas nenit 26”, thuhet në Ligjin për Shëndetësi.

KOHA ka adresuar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë e edhe në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave, por nga asnjëra instancë nuk mori përgjigje.

Siç ka mësuar KOHA, me të njëjtën bazë ligjore janë shqiptuar dënime edhe në të shkuarën dhe të cilat janë konfirmuar nga gjykatat e rregullta.