Arbëri

Komisioni i Ankesave “shtrembëroi” faktet në favor të kompanisë “KosovaMed Healthcare”

Ministria e Shëndetësisë

Komisioni i Ankesave i ka dhënë të drejtë kompanisë “KosovaMed Healthcare” për ofrim të kujdesit shëndetësor për pacientë në institucione publike shëndetësore, me argumentin se ajo ka licencë të lëshuar nga Agjencia Kosovare e Produkteve dhe Pajisjeve Mjekësore edhe për ofrim të kuadrit profesional medicinal. Por në AKPPM kanë thënë se kompania ka qenë e licencuar vetëm si qarkullues me shumicë i pajisjeve medicinale dhe se nuk lëshojnë licenca për ofrim të kuadrove shëndetësore. KOHA ka shqyrtuar bazën ligjore, por nuk ka gjetur askund se ekziston praktika e lëshimit të një licence të tillë

Komisioni i Ankesave në Ministrinë e Shëndetësisë që shërben si trup kolegjial i pavarur i ka dhënë të drejtë kompanisë “KosovaMed Healthcare” që të ofrojë shërbimet e kujdesit shëndetësor në Qendrat e Mjekësisë Familjare, si dhe shërbime të kujdesit paliativ në një komunë, me arsyetimin se kompania posedon licencë edhe për “ofrim të kuadrove shëndetësor”, ani që të tilla licenca nuk lëshohen fare në Kosovë.

“Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave ka konstatuar se ‘Kosova Med Health Care SHPK’ Prishtinë është kompani tregtare e licencuar nga AKPPM (Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Mjekësore) e për shitblerjen e pajisjeve medicinale dhe ofrim të kuadrove profesional medicinal në institucione shëndetësore të licencuara”, thuhet në vendimin e Komisionit të Ankesave.

Por, në AKPPM kanë demantuar Komisionin e Ankesave.

“Sa i përket çështjes së ‘ofrimit të kuadrove profesional medicinal në institucione shëndetësore’ , ju njoftojmë se AKPPM nuk lëshon licenca të tilla, po ashtu nuk është nën kompetencën e Institucionit të lëshoj këto licenca. Pra e vetmja formë e lëshimit të licencës së veprimtarive është kjo të cilën po jua ngarkojmë në këtë shkresë, e cila formë është e nxjerrë nga sistemi online Barnatari”, ka deklaruar Granita Selimi, drejtoreshë për licencim në AKPM.

Në AKPPM kanë konfirmuar po ashtu se kjo kompani prej 1 shkurtit e deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka licencë as të Qarkulluesit me Shumicë për Pajisje Medicinale.

“Ashtu siç kërkuat përmes linjës telefonike gjeni dëshminë e aplikacioneve, njeri aplikacion ka statusin Cancel, për shkak se objekti nuk ka plotësuar kushtet, dhe aplikacioni i dytë (me lokacion të ndryshëm nga i pari) ka statusin Inspektor i cili ashtu siç jua shpjegova ka kaluar te komisioni 5%”, ka thënë Selimi.

Sipas saj kjo kompani kishte licencë valide nga data 01.02.2019 deri më datën 01.02.2024.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë kthyer përgjigje konkrete me arsyetimin se zyrtari kryesor administrativ është në proces të shqyrtimit të dokumentacionit dhe hapave që duhet të ndërmarrë si institucion.

Për t’u informuar se me cilin ligj rregullohet lëshimi i licencave për ofrim të kuadrit shëndetësor, pyetjet i janë dërguar edhe Komisionit të Ankesave, meqë një term të tillë KOHA nuk ka mundur ta gjejë as në Ligjin për Shëndetësi e as në ndonjë Udhëzim Administrativ të MSH-së. Ky komision nuk ka ofruar përgjigje.

Ndërsa, kryesuesi i Komisionit të Ankesave, Shaban Osmanaj gjatë ditës kur është pyetur nëpërmjet telefonit se ku e kanë gjetur një term të tillë, ia ka premtuar se do të përgjigjen me shkrim.

“Do ta shikojmë shkresën ku e keni bërë kërkesën dhe do ta keni një përgjigje”, ka thënë Osmanaj.

Anëtarët e tjerë të Komisionit, përkatësisht Fakete Hoxha e Fjolla Shabani kanë qenë të paqasshme - njëra e kishte të fikur telefonin e tjetra nuk u është përgjigjur thirrjeve.

KOHA ka kontaktuar të premten edhe kompaninë “KosovaMed Healthcare”, por as drejtuesit e saj nuk kanë janë përgjigjur.

Pyetjet specifike që i janë drejtuar kësaj kompanie janë: Ju lutem a mund të na ofroni licencën e AKPM-së ku thuhet që “KosovaMed HealthCare” është kompani tregtare e licencuar nga AKPM për shitblerjen e pajisjeve medicinale dhe ofrim të kuadrove profesional medicinal në institucione shëndetësore të licencuara? Kur ju është lëshuar një licencë e tillë nga AKPM-ja? si dhe: Pasi që në përgjigjen e AKPM-së thuhet që për momentin nuk keni licencë si Qarkullues me Shumicë i Pajisjeve Mjekësore a na sqaroni nëse licenca e tillë ka qenë kriter për të fituar tenderin në Drenas ose komunat e tjera? Nëse po, a ka ndonjë nen në kontratë se çfarë ndodh në periudhën kur kompania nuk e ka këtë licencë.

Ndërsa, ditë më parë kjo kompani ka thënë se ligji nuk obligon kompanitë që të kenë licencë për ofrim të shërbimeve.

“Legjislacioni në fuqi nuk obligon asnjë kompani që të ketë licencë sepse nuk ofrojmë shërbime, por ofrojmë personel që ka licencë dhe vepron, ashtu siç kanë vepruar komunat çdoherë, dhe sa kemi njohuri që nga pas lufta është po e njëjta praktikë”, ka thënë Kastriot Asllani nga kjo kompani.

Inspektorati Shëndetësor në dy komuna në muajt tetor e nëntor të vitit të kaluar ia ka pezulluar punën kësaj kompani me arsyetim që nuk ka licencë për ofrimin e shërbimeve për çfarë ishte angazhuar. Kjo kompani ka fituar tenderë në disa komuna për ofrim të kujdesit shëndetësor shtëpiak, e po ashtu edhe në hapësirat e Qendrave të Mjekësisë Familjare.

Në periudhën kur ka fituar tenderët kjo kompani ka disponuar licencë si Qarkullues me shumicë të pajisjeve medicinale.