Rreth 6 muaj i janë dashur Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë për të ardhur në përfundim që në Kosovë nuk ka licencë për ofrim të kuadrove shëndetësorë të licencuar.
Ky Komision ka anuluar vendimin e vet e që muaj më parë i kishte dhënë të drejtë kompanisë “Kosova Med Healthcare”, edhe pse nuk kishte licencë adekuate.
Krejt kjo pati ardhur, pasi Inspektorati Shëndetësor ia kishte pezulluar punën kësaj kompanie në objekte shëndetësore publike komunale, me arsyetimin që nuk ka licencë. Po ashtu, kompania ishte gjobitur me 10 mijë euro.
Më pas, kompania ishte ankuar, e Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave i dha të drejtë asaj duke pohuar që ajo kishte një lloj licence, e që KOHA me vonë raportoi se në Kosovë fare nuk ekziston.
Pas kësaj, Komisioni për Ankesa në fundin e javës së kaluar e anuloi vendimin e vet por edhe vendimin e Inspektoratit.
E ky komision nuk i dha të drejtë as kompanisë në pretendimet e saj përveç se i dha të drejtë në pikën që ta anulojë gjobën prej 10 mijë euro kundër kësaj kompanie.
Vendimin e Inspektoratit Shëndetësor e ka anuluar me arsyetimin se Inspektorati Farmaceutik është kompetent për një çështje të tillë.
“Një kompetencë e tillë nuk i përket këtij organi, por një organi me fushëveprimtari tjetër, përkatësisht Inspektoratit Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë”, thuhet në vendimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave.
Por sërish sipas analizës së KOHËS, vendimi i Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave është gabim.
Kjo, për shkak që kjo kompani nuk ka kontratë me disa komuna të Kosovës për ofrim të shërbimeve farmaceutike, por për ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjë që është në domenin e Inspektoratit Shëndetësor si organ mbikëqyrës e jo tek Inspektorati Farmaceutik.
Kjo dëshmohet edhe në një paragraf të po këtij vendimi.
“Refuzohen si të pabazuara pretendimet e tjera ankimore të Kosova Med HealthCare Prishtinë sa i përket ofrimit të kuadrit profesional shëndetësor për institucionin publik shëndetësor, pasi licenca e lëshuar nga AKPPM për Kosova Med Healthcare, pasi sipas dëshmisë, është i licencuar me këtë titull, “Licencë veprimtarie- Qarkullues me shumicë për pajisje medicinale”, thuhet në vendimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave.
KOHA ka kontaktuar kompanisë Kosova Med Healthcare, e cila ka deklaruar që ende nuk e ka pranuar këtë vendim.
Inspektorati Shëndetësor në dy komuna, gjatë muajve tetor e nëntor të vitit të kaluar, pati nxjerrë vendime për pezullim të punës së kësaj kompanie me arsyetimin se nuk ka licencë për ofrimin e shërbimeve për çka ishte angazhuar.
Kjo kompani ka fituar tenderë në disa komuna për ofrim të kujdesit shëndetësor shtëpiak, e po ashtu edhe në hapësirat e Qendrave të Mjekësisë Familjare.
Në periudhën kur i ka fituar tenderët, kjo kompani ka disponuar licencë si qarkullues me shumicë të pajisjeve medicinale.