Ndonëse kishin më shumë pikë, anëtarët e Komisionit ad-hoc kanë përjashtuar Liridona Lluka- Gashin dhe Blerta Zeqirin nga lista e kandidatëve të përzgjedhur për anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Për kandidaten Liridona Lluka-Gashi, u tha se ajo nuk është kredibile dhe e paanshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë, deputetja Doarsa Kica-Xhelili, tha se e kishte kuptuar që ajo kishte afirmitet politik, por se nuk e ka njohur sasinë dhe thellësinë e saj në politikë.
‘‘Çka më ka shqetësuar është se ajo tha që unë jam për me e mbrojtur zërin e gazetarëve, kur krejt gazetarët dhe krejt mediet sa ka qenë kjo në AGK, janë çu e kanë caktuar mbledhjen e jashtëzakonshme për me e shkarkuar dhe atë ditë është çu ka dhënë dorëheqje’’, tha ajo.
Kica-Xhelili shtoi se për të kjo është jokredibile, jolegjitime dhe se pa hyrë fare në politike, ajo nuk i përfaqëson interesat e gazetarëve dhe se e ka gënjyer në sy.
Për mosshkuarjen e emrit të kësaj kandidateje në Kuvend, të gjithë deputetët votuan pro.
Ndërsa, në lidhje me Blerta Zeqirin, kishte reagime se ajo ka qenë e emëruar politikisht si drejtoreshë dhe për këtë duhet të largohet nga lista.
Por, këtë e kundërshtoi Saranda Bogujevci, e cila tha se ajo asnjëherë nuk ka qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithatë, kandidatja Zeqiri u vendos të largohet nga lista e të përzgjedhurve për të shkuar në votim në Kuvend.
Ndryshe, Liridona Lluka-Gashi kishte 734 pikë, ndërsa Blerta Zeqiri kishte 678 pikë.
Intervistimi i kandidatëve për Bordin e RTK-së, ka filluar më 11 nëntor dhe përfundoi dje (17 nëntor), ku nga 91 kandidatët e intervistuar, 18 prej tyre u rekomanduan për votim në Kuvend. /BetimipërDrejtësi