Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka përshëndetur të enjten përparimin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit duke e vlerësuar si një “kampione” të bashkëpunimit rajonal.
Kos ka qëndruar në kryeqytet, Tiranë, për t'u takuar me liderët e vendit dhe për t'i siguruar ata për mbështetjen e vazhdueshme të bllokut, raporton AP.
Parlamenti i Shqipërisë pritet të ratifikojë dy dokumente të reja financuese në vlerë prej 920 milionë euro, sipas planit të rritjes së BE-së.
Financimi do t'i mundësonte vendit të vogël të Ballkanit Perëndimor "të jetë gati për t'u bashkuar me BE-në", sipas Kos.
“Ju jeni kampion në bashkëpunimin rajonal. Dhe kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme”, ka thënë ajo, duke iu referuar rajonit të Ballkanit Perëndimor dikur të shkatërruar nga lufta pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
BE-ja ka vendosur në vitin 2020 se do të nisë negociatat e anëtarësimit të plotë me Shqipërinë, dhe bisedimet kanë filluar tetorin e kaluar se si vendi përputhet me qëndrimin e BE-së për çështje të tilla si shteti i së drejtës, funksionimi i institucioneve demokratike dhe lufta kundër korrupsionit.
Vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, janë në faza të ndryshme në aplikimet e tyre për anëtarësim në BE.
Ato kanë qenë të frustruara nga ritmi i ngadaltë i përparimit, por pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022 i ka inkurajuar liderët e Evropës që të qojnë përpara proceset në mënyrë që ato t'i bashkohen bllokut.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se shpreson të përfundojë procesin e negociatave me BE-në deri në vitin 2027 dhe që Shqipëria të bëhet anëtare e bllokut deri në vitin 2030.
“Tani fokusi duhet të kthehet në zbatimin e reformave të miratuara dhe për të përshpejtuar konfirmimin e të gjitha reformave të tjera dhe veçanërisht reformën në drejtësi, një gur themeli i procesit të integrimit në BE”, ka thënë Kos në një konferencë të përbashkët për media me Ramën.
Shqipëria mban zgjedhjet parlamentare më 11 maj, për të cilat Kos nuk pret të "ngadalësojnë procesin evropian".