Arbëri

Komercialja “zhduk” interpretimin ligjor kundër kontratave abuzive

Gjykata Komerciale

Shkalla e parë e Gjykatës Komerciale nuk e ka marrë për bazë opinionin ligjor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kur më 2017 vendosi në favor të një kompanie farmaceutike që tentoi t’ia shesë një bar Ministrisë së Shëndetësisë me çmim pesëfish më të lartë se ai real. Gjykata interpretimin e Komisionit e kualifikoi si jo të prerë. Por në dokumentin e Komisioni theksohet qartë që nënshkrimi i kontratave me çmim abuziv është i jashtëligjshëm dhe se Ministria ka të drejtë ta refuzojë nënshkrimin

Kur javë më parë, Gjykata Komerciale vendosi në favor të një kompanie farmaceutike që më 2017 pati tentuar t’ia shiste një bar Ministrisë së Shëndetësisë me çmim pesëfish më të lartë se ai real, nuk e ka marrë për bazë një opinion ligjor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

Opinioni i Komisionit që i interpreton rregullat e prokurimit e lejoi Ministrinë e Shëndetësisë të mos e nënshkruajë kontratën abuzive për ilaçin. Opinioni u dha pasi ministria kërkoi përgjigje në pyetjet nëse ka mundësi ligjore që në fazën e paranënshkrimit, kontrata të mos nënshkruhet dhe nëse ministria është e obliguar ta nënshkruajë, ani se e di që çmimet janë abuzive.

Teksa përgjigjja në pyetjen e parë ishte procedurale, për të dytën theksohej qartë që Ministria e Shëndetësisë të mos e nënshkruajë kontratën.

“Lidhja e kontratës/ve të dëmshme dhe/ose kur ka të gjetura të cilat (sipas shkresave tuaja) konfirmojnë aktivitete abuzive është kundërligjore dhe e papranueshme. Prandaj, ministria nuk është e obliguar që të nënshkruaj kontratën në rast se konfirmon të gjeturat e lartpërmendura. Në rast se ministria vendos t’i shpallë kontratat e cekura më lart si të pazbatueshme (në pajtim me nenin 26 të LPP-së), ministria duhet të nxjerrë një vendim të tillë dhe të njoftojë palët për të njëjtin”, thuhet në interpretimin e KRPP-së

Ministrisë iu caktua kusht që para refuzimit të kontratës, të konfirmonte se çmimi i ofruar është abuziv. E pas hulumtimit të tregut nëpërmjet hyrjeve doganore, Ministria e Shëndetësisë gjeti që bari gjatë 2017-s ka hyrë në Kosovë me çmim prej 4.80 eurosh teksa në kontratë ofrohej për 23 euro.

Në Gjykatën Komerciale vlerësuan se përgjigjja e Komisionit nuk ka qenë e prerë.

“Nga vlerësimi i kësaj përgjigjeje të KRPP-së, Gjykata nuk gjeti ndonjë rekomandim të prerë se si të veprojë AK (Autoriteti Kontraktues v.j.), por në këtë interpretim ligjor, duke marrë për bazë fazën në të cilën gjendet procedura, KRPP-ja paraqet mundësitë se çfarë mund të ndodhë në rast se AK vendos të nënshkruajë kontratën dhe se çfarë mund të ndodhë në rast se vendos që të mos nënshkruajë kontratën dhe të anulojë aktivitetin e prokurimit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale.

Duke iu referuar veç përgjigjes së parë të Komisionit e pa e përmendur atë për çmimet abuzive, Gjykata theksoi se vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e tenderit ishte në kundërshtim me interpretimin e KRPP-së.

Por dokumenti e dëshmon të kundërtën.

“Ministria e Shëndetësisë e pati refuzuar nënshkrimin e kontratës me një kompani farmaceutike pasi gjeti që çmimi i ofruar prej 23 eurosh, për një tabletë, ishte abuziv dhe se ai real ishte rreth 5 euro. Ndonëse mosnënshkrimi i kontratës ia shpëtoi shëndetësisë publike rreth gjysmë milioni euro, shkalla e parë e Komerciales e ka obliguar ministrinë që t’ia paguajë kompanisë rreth 300 mijë euro, në emër të fitimit të humbur”, theksohet në këtë dokument.

KOHA javën që prej javës së shkuar ka kërkuar sqarime nga shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, porse kjo instancë e ka konsideruar këtë kërkesë si presion mbi punën gjyqtarit, duke thënë që askush përveç organeve gjyqësore, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.