Dhoma e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, sërish e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, sh.p.k., për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), më 19 prill 2023, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”.
Vendimi është marrë më 30 nëntor, nga gjykatësja e rastit Vlora Pacolli-Rexhepi, me të cilin shtyhet ekzekutimi i vendimit të OSHP-së, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për kërkesëpadinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gjykata shqyrtoi pretendimet e paditësit të paraqitura në propozimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit dhe vlerësoi se në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për të aprovuar të njëjtën pasi që propozuesi e ka argumentuar me prova të besueshme faktin se ekzekutimi i vendimit do ti sillte dëm i cili vështirë do të riparohej, se shtyrja nuk është në kundërshtim me 8 / 12 interesin publik, si dhe faktin se shtyrja nuk do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar, kushte këto të përcaktuara në nenin 22 par.2 të LKA-së”, thuhet në vendim.
Në vendimin e gjykatës, thuhet se qëllimi i masës së përkohshme është pikërisht interesi publik, në mënyrë që të vërtetohet se operatori ekonomik-realizues i punimeve, është i përshtatshëm dhe i besueshëm se punimet do t’i realizojë pa mashtrime, pa manipulime, duke përmbushur në përpikëri zotimet dhe duke vepruar nën përgjegjësi ligjore.
“Gjykata sqaron se shtyrja e përkohshme e aktivitetit të prokurimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor nuk është as pengesë dhe as ndalesë për Ndërtimin e Rrugës A”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, gjykata vlerëson se pretendimi i ngritur nga paditësi “Pro & CO Group”, Sh.p.k, dhe i mbështetur në provë të besueshme, aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit për Krime të Rënda, i datës 30 mars 2018, me të cilin drejtori ishte dënuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 398, par.2 të KPRK-së paraqet një çështje serioze që e vë në dyshim përshtatshmërinë e OE “Sallahu” Sh.p.k, për ndërtimin e rrugës A – pjesa e parë.
Kjo pasi që, Gjykata vlerëson se është e domosdoshme që ky pretendim të sqarohet në procedurë gjyqësore në bazë të provave të administruara para realizimit të projektit, sepse duke pasur parasysh rëndësinë e vërtetimit të përshtatshmërisë së një operatori ekonomik për t’ia besuar realizimi e një projekti me vlerë prej 8,479,801.66 Euro, të financuar me paratë publike, pa u vërtetuar një pretendim i tillë kaq serioz, dëmi që do të shkaktohej është në çdo aspekt i pariparueshëm dhe jo vetëm për paditësit, por e dëmton rëndë interesin publik sepse e vë në dyshim realizimin e tërë projektit.
Shkalla e parë, po ashtu vlerësoi se shtyrja e përkohshme e ekzekutimit të vendimit të kundërshtuar dhe pezullimi i aktiviteti të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues- Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedurale, është mëse i duhur që të ruhet interesi publik.
“Kjo po ashtu do të evitojë çfarëdo dyshimi për keqpërdorim të fondeve publike nga Autoriteti Kontraktues. Në të kundërtën realizimi i projekti para përfundimit të shqyrtimit gjyqësor do të ndikonte negativisht në besimin e publikut lidhur me shfrytëzimin e fondeve publike nga Autoriteti Kontraktues”, theksohet në vendim.
Gjykata, duke marrë në konsideratë se realizimi i projektit për ndërtimin e “Rrugës A” është në interes publik për mirëqenien e qytetarëve dhe në mënyrë që të mos zvarritet shqyrtimit i çështjes pa afat të caktuar, me këtë aktvendim e ka caktuar edhe seancën përgatitore për ta trajtuar me prioritet këtë çështje, në mënyrë që çështja kontestuese të marrë një epilog përfundimtar brenda një kohe të arsyeshme.
Seanca përgatitore është caktuar më 20 dhjetor 2023.
Ndryshe, Gjykata Komerciale më 17 tetor 2023, përmes aktvendimit e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, sh.p.k., për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), më 19 prill 2023, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”.
Mirëpo, ky vendim ishte atakuar dhe Dhoma e Shkallës së dytë e Gjykatës Komerciale kishte vendosur që çështja të kthehet në rigjykim.
“Shkeljet e tilla përfaqësojnë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore që kanë pasur ndikim në marrjen e aktvendimit të ligjshëm dhe të drejtë, andaj aktvendimi i atakuar, doemos është dashur të prishet”, thuhej në vendimin e shkallës së dytë. /BetimipërDrejtësi