Arbëri

Komercialja “ia anulon” një aktivitet kryeministrit

Gjykata Komerciale me aktvendim ka pezulluar vënien e gurthemelit për Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini”, në Podujevë. Në aktvendimin e kësaj gjykate, thuhet se kërkesa e operatorit ekonomik “Aradi 94” sh.p.k., për pezullimin e punimeve është tërësisht e bazuar dhe e aprovuar. Në Komunën e Podujevës, thonë se për këtë vendim u njoftuan nga operatori ekonomik ankues dhe jo nga Gjykata Komerciale

Përgatitjet janë bërë, por punimet nuk nisën të shtunën për ndërtimin e objektit të ri të shkollës së mesme ekonomike “Isa Boletini”, në Podujevë.

Për këtë ditë ishte paralajmëruar se do të vihet gurthemeli i objektit dhe në ceremoni është paraparë të merrte pjesë edhe kryeministri Albin Kurti si dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Por, pas ankesës së një operatori ekonomik që ka aplikuar në tenderin për këtë objekt shkollor, Gjykata Komerciale vendosi ta pezullojë aktivitetin e prokurimit.

Në aktvendimin e kësaj Gjykate thuhet se ankesa e paditësit “Aradi 94” aprovohet në tërësi si e bazuar për shtyrje të ekzekutimit të vendimit deri në marrjen e vendimit të plotfuqishëm gjyqësor.

Për këtë vendim të Gjykatës Komerciale, nuk ka qenë në dijeni Komuna e Podujevës.

Sipas drejtorit të Arsimit në këtë komunë, për këtë çështje, janë njoftuar nga operatori ekonomik ankues. 

“Ne ndiejmë keqardhje që është pezulluar ky aktivitet shumë i rëndësishëm për komunën tonë. Gjykata Komerciale paska marrë një vendim, të cilin vendim ne si Komunë e Podujevës nuk e kemi pranuar deri në ditën e djeshme pas orarit të punës. Ne jemi njoftuar shumë vonë për këtë vendim dhe për të mos rënë keq ne e kemi anuluar këtë aktivitet (të vënies të gurthemelit v.j.)”, ka thënë Avni Fetahu, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë.

Për këtë çështje, Fetahu thotë se do të vazhdojnë procedura ligjore pasi që finalizimi i këtij projekti ka rëndësi të madhe për komunën.

“Do të bëjmë një ankesë për këtë çështje dhe do të vazhdojmë dhe me procedurat e tjera që na takon si komunë nga aspekti ligjor, për t’i dhënë një epilog përfundimtar kësaj çështjeje, që është shumë e rëndësishme për komunën tonë”, ka theksuar Fetahu.

Sipas vendimit të Gjykatës, shtyrja e realizimit të projektit “Ndërtimi i shkollës së mesme ekonomike”, është e domosdoshme për një kohë të arsyeshme deri në një shqyrtim të ligjshmërisë dhe nuk është në dëm të interesit publik.

Kontrata për ndërtimin e objektit për Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini”, është nënshkruar më 27 maj të këtij viti.