Arbëri

Komandanti i KFOR-it përcjell tri mesazhe nga Brukseli për Kosovën

Ozkan Ulutas

Tri mesazhe i ka përcjellë Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, pas vizitës në selinë e NATO-s në Bruksel ku ka takuar zyrtarë ushtarakë, sekretarin Jens Stoltenberg, e ambasadorët e shteteve kontribuuese në misionin e KFOR-it.

Së pari, ka thënë ai, aleatët dhe partnerët e NATO-s mbështesin plotësisht përpjekjet e KFOR-it për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Duke theksuar se KFOR-i është misioni më i gjatë dhe tani më i madh i NATO-s, Ulutas ka shtuar se mesazhi i dytë është se KFOR-i do të sigurohet që misioni i tij të mbetet i pajisur mirë dhe i pozicionuar mirë për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij të OKB-së si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundim të Ligjit.

Ndërkaq, në mesazhin e tretë komandanti i KFOR-it ka përmendur dialogun Kosovë-Serbi si zgjidhjen politike për të ardhmen e sigurt.

“Së treti, mund të ketë vetëm një zgjidhje politike për situatën aktuale. Një zgjidhje që njeh dhe respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Në këtë aspekt, NATO vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Një zgjidhje e qëndrueshme politike varet nga një angazhim i të gjitha palëve për t’u përmbajtur nga retorika dhe veprimet destabilizuese, dhe në vend të kësaj të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në mirëbesim. Kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”, ka thënë ai.