Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Oezkan Ulutash, është takuar të mërkurën në Beograd me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq.
Sipas komunikatës së lëshuar nga KFOR-i, ata kanë biseduar për gjendjen e sigurisë në Kosovë.
“Gjeneralmajor Ulutash dhe gjeneral Mojsilloviq ndanë pikëpamjet mbi situatën e përgjithshme të sigurisë dhe ndikimin e saj në stabilitetin rajonal dhe mbi aktivitetet e bashkëpunimit. Ata rikonfirmuan angazhimin e tyre të palëkundur për të mbrojtur komunikimet dhe dialogun e hapur”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se takimi ishte pjesë e ndërveprimeve të rregullta të gjeneralmajor Ulutashit me homologët e tij kryesorë ushtarakë.
Takimi i tyre ndodhi në kohën kur autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa veprime në veri të vendit, përfshirë edhe paralajmërimin për hapje të Urës së Ibrit.